Obama paralajmeron per kufirin e borxhit
Presidenti Barak Obama paralajmëron ligjvënësit e të dy partive kryesore politike, demokratët dhe republikanët, se përsëritja e qendrimit të vitit të kaluar ndaj ngritjes së nivelit të borxhit të Shteteve të Bashkuara është e papranueshme.
Obama u tha ligjvënësve kryesorë demokratë dhe republikanë se nuk do të tolerojë një tjetër betejë lidhur me ngritjen e kufirit të borxhit të vendit, bëri të ditur sekretari i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karni.
"Ne nuk do t’i rikthehemi përplasjes për kufirin e borxhit si në gusht të vitit të kaluar. Nuk është aspak e pranueshme që të mbahen peng ekonomia amerikane dhe ekonomia botërore nga ideologjia e një partie”, tha ai.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bojnër, tha të martën se nuk do të lejojnë ngritjen e kufirit të borxhit pa marrë masa të forta për uljen e shpenzimeve qeveritare dhe pa reformuar procesin buxhetor. Kongresi miratoi ligjin gushtin e kaluar për t’i lejuar qeverisë marrjen e huave më të mëdha, vetëm disa orë para se të skadonte afati që do t’i linte Shtetet e Bashkuara në pamundësi për të paguar këstin e borxhit. Çmimet e aksioneve ranë dhe një agjenci e madhe e vlerësimit të aftësisë së vendeve për të paguar borxhet uli gradën e kreditit të Shteteve të Bashkuara për herë të parë.
Këtë vit, këshillatarët nga të dy partitë presin që debati për kufirin e borxhit të shtyhet deri pas zgjedhjeve të nëntorit.
Obama u tha gazetarëve se ekonomia po përmirësohet, por ende mbetet shumë për t’u bërë. Ai tha se rimëkëmbja po pengohet nga shkalla e lartë e papunësisë, tregu ende i vështirë i shtëpive dhe pasiguria ekonomike në Evropë.