G20 kriza djeg mbi 21 milione vende pune

Kriza financiare e nisur që nga viti 2008 e deri më sot ka djegur 21,3 milionë vende pune në vendet anëtare të G20. Shifrat publikohen nga OBP dhe OECD në raportin e përgatitur mbi tregun e punës, në kuadër të takimit të ministrave të Punës së G20-ës, në Meksikë. Sipas këtij raporti më të larta shfaqen shifrat italiane ku numri i të papunëve është shtuar në 23%, e ndjekur më pas nga Spanja me 15,6% dhe Britania e Madhe me 5.9%. Për të gjithë BE numri i të papunëve ka arritur në 24,772 milionë apo në rritje me 9,4%. Sipas raportit të të dy organizatave e kundërta ka ndodhur në Turqi ku përgjatë këtyre vitetve është shënuar një rënie e numrit të të papunëve me 12%. OBP dhe OECD theksojnë se për t’iu rikthyer shifrave të parakrizës është i nevojshëm krijimi i rreth 21 milionë vendeve të reja të punës në 2012. Më shqetësues sipas Organizatave mbetet punësimi tek të rinjtë ku për vendet e G20 të rinjtë e papunë janë shtuar në 37 milionë. U kërkojmë ministrave të Punës të bëjnë më shumë për të ndihmuar të rinjtë kanë deklaruar sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurria dhe drejtori i përgjithshëm i OBP-së, Juan Somavia. Përvec masave për stimulim të punësimit, futja në tregun e punës për të rinjtë mund të bëhet edhe përmes ndërhyrjeve për përmirësim të përgatitjes së tyre me edukimin bazë dhe formimit për punë. Të dy drejtuesit e organizatave kërkojnë rinovim të politikave të punësimit që do të ndihmojnë ekonomitë të nxisin dhe mbështesin rritjen, të shtojnë vendet e përshtatshme të punës dhe të dalin dinjitoz nga kriza e borxheve. Ndër të tjera raporti vë në dukje se vështirësia e tregut të punës ndryshon nga një vend në tjetrin . Disa prej tyre kanë nevojë të menjëhershme të ulin nivelin e papunësisë së lartë, ndërsa të tjera vende duhet të promovojnë tranzicionin mes punës së pasigurt në atë të mbrojtur.