Obama përpiqet për marrëveshjen fiskale

Shtëpia e Bardhë u përpoq dje të shpëtojë nga dështimi bisedimet mbi krizën fiskale, pasi një plan republikan dështoi në Kongres, por shpresat janë pakësuar tashmë për shkak se sakaq po mbërrijnë pushimet e Krishtlindjeve. Në komentet e tij para se të udhëtonte për në Hauai për pushime, Obama foli për mundësinë e një marrëveshjeje të përkohshme mbi taksat dhe zgjatjen e përfitimeve të papunësisë për të shmangur efektet më negative që mund të vijnë në 1 janar nga bllokimi aktual.
“Ne na kanë mbetur vetëm dhjetë ditë për këtë. Unë shpresoj që çdo anëtar i Kongresit po mendon për këtë gjë. Askush nuk mund të marrë 100 për qind të asaj që do”, tha Obama. Ai shtoi se dëshironte të zgjaste uljet e taksave të kohës së
Presidentit Bush për 98 për qind të amerikanëve. Demokratët duket se po u ofrojnë ligjvënësve republikanë një mënyrë për të zgjidhur problemin më të rëndë – skadimin e uljes së taksave – ndërsa çështje të tjera më të debatueshme si rritja e tavanit të borxhit publik dhe shkurtimet e shpenzimeve mund të vijojnë të diskutohen më vonë.
Obama u bëri thirrje ligjvënësve të përdorin pushimet e tyre për të qetësuar nervat. “Hani ca ëmbëlsira, këndoni këngë Krishtlindjesh dhe kthehuni gati për një marrëveshje”, tha ai. Bisedimet u bllokuan këtë javë kur drejtuesi i Kongresit, John Boehner, nuk arriti të bindë shokët e tij republikanë të pranojnë heqjen e masës së taksave të ulëta për amerikanët më të pasur. “Se si do të dalim nga kjo situatë, vetëm Zoti e di”, u tha gazetarëve ai./Indeksonline/