Obama, përpjekje të reja për të shpëtuar reformat shëndetësore
Presidenti amerikan Barak Obama u kërkoi ligjvënësve demokratë dhe republikanë që të kapërcejnë mosmarrëveshjet mbi reformën e shëndetësisë, në një takim të nivelit të lartë që kishte si synim rigjallërimin e projekt-ligjit që ka ngecur në Kongres.
Në takimin e sotëm, Presidenti Obama tha se për shumë çështje të kujdesit shëndetësor të dyja palët janë në një mendje. Ai tha se shpreson që udhëheqësit nga të dyka paritë që po marrin pjesë në takimin që po vazhdon, të përqendrohen tek idetë e përbashkëta dhe jo vetëm tek ato që i ndajnë.
Ai tha se shpreson që diskutimi të mos jetë thjesht "teatër politik”. Duke folur në emër të republikanëve, Senatori Lamar Aleksandër tha se partia e tij beson se ligjvënësit duhet të fillojnë nga e para me reformën shëndetësore duke synuar uljen e kostos së kujdesit shëndetësor. Ai tha se republikanët do të donin të punonin hap pas hapi me demokratët për të hartuar një paketë të re.
Ai i bëri gjithashtu thirrje udhëheqjes demokrate dhe presidentit që të distancohen nga ideja e miratimit të projekt-ligjit të tyre në Kongres pa mbështetjen e republikanëve. Ai tha se do të ishte indinjuese nëse një gjë e tillë ndodhte. //ad//