E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Garantoj bashkëpunim të hapur me opozitën, vendimet e gjykatave nuk janë pjesë e politikës”

Kryeministri Berisha përshëndet vendimin e opozitës për të thyer bojkotin, e garanton për të gjitha hapësirat e saj ligjore

Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi dje gjatë punimeve të seancës plenare, e cila për herë të parë në këtë legjislaturë ishte e mbushur plot e përplot me praninë edhe të deputetëve të opozitës, se është i gatshëm për çfarë do lloj bashkëpunimi me krahun kundërshtar politik, por, vendimet e gjykatave nuk janë kompetencë as e ekzekutivit dhe as e politikës në tërësi. Reagimi i kryeministrit erdhi pas prezantimit të projektligjit nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi, për ngritjen e komisionit hetimor që përfshin hetimin e pakufizuar e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit dhe një projektligj tjetër, i cili i jep të drejtën e hapjes së kutive çdo partie që kërkon hetim për zgjedhjet.
Shefi i ekzekutivit tha para deputetëve të Kuvendit, se mazhoranca do respektojë çdo hapësirë ligjore të opozitës, por hapja e kutive është një vendim gjykate dhe kjo nuk mund të komandohet dhe as urdhërohet nga politika.
Duke iu referuar një rasti konkret siç ishte komuna Ruzhdije në qarkun Fier, Berisha tha se PS mori mandatin pas vendimit të gjykatës, për të lexuar si të rregullta fletët e votimit të cilat ishin pa vulën e komisionarit socialist, i cili kishte braktisur procesin, duke marrë me vete edhe vulën e komisionit zgjedhor.
“Do respektoj pushtetin e opozitës në të gjithë hapësirën ligjore të saj. Në Ruzhdije, komisionerët socialistë morën vulën dhe u larguan. Ne përcaktuam që në 50 për qind të Shqipërisë të ishim ne mazhoritarë ndërsa në pjesën tjetër të jeni ju. është gjykata e apelit që e ka hedhur poshtë, ne nuk mund të kërkonim dhe as urdhëronim përsëritje zgjedhjesh. Problemi juaj janë gjykatat, jo mazhoranca, apo qeveria.
Tre muaj më parë Gjykata Kushtetuese i tha legjislativit se ti nuk mund të hetosh pushtetin, qeverinë vendore, nuk mund t’i hetosh sepse cenon autonominë e tyre, pavarësisht se bazohesh ne fakte dhe dokumente. Për shqiptarët, për ju, për ne, ka një pavarësi tjetër, që është shumë herë më e rëndësishme se sa pavarësia e pushtetit vendor, është pavarësia e gjyqësorit. Nëse ne na imponohet nga një pushtet tjetër të respektojmë autonominë e pushtetit vendor, gjykoj se ndarja madhore e pushteteve, legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, duhet respektuar. Gjykata kushtetuese ndërhyri edhe brenda degës së pushtetit ekzekutiv. Unë kam besim te kultura juaj juridike, parlamentare, pasi shumë prej jush janë prej disa legjislaturash në parlament dhe kjo na bën ne, që ta trajtojmë njëlloj realitetin dhe jo në dy mënyra të ndryshme”, deklaroi kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit, duke përshëndetur vendimin e opozitës, për t’u futur në parlament, tha se me këtë vendim, PS merr përgjegjësitë kushtetuese që ka një deputet. Berisha premtoi edhe njëherë garanci të plotë për çdo të drejtë ligjore opozitës.
“Jam këtu për të garantuar opozitën në vendosmërinë time të palëkundur se do të bashkëpunoj ngushtë me të duke respektuar të drejtat e saj, pushtetin e saj, autoritetin e saj moral. Kohët janë shumë të veçanta për Shqipërinë dhe shqiptarët. Janë kohërat e një procesi jetik dhe vendimtarë për këtë komb për të kapur të ardhmen e tij dhe shqiptarët më shumë se çdo komb tjetër edhe sot, të ardhmen më të mirë konsiderojnë atë në BE”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se janë një seri reformash që presin kontributin e opozitës ashtu sikurse edhe kritikën e saj dhe oponencën në këtë aspekt.
“Ka një kundërshti që askush nuk mund ta injorojë. Ka të bëjë me një të drejtë të opozitës që të kërkojë garanci më të mëdha për një proces zgjedhor. Duke qenë të rëndësishëm se kjo është një e drejtë legjitime e opozitës, në katër vitet e shkuara, Sali Berisha nuk ka lënë koncension pa bërë në mënyrë absolute. Skam pranuar të nisem asnjëherë t’i diktoj opozitës sepse e kam konsideruar detyrën time ti jap asaj garanci të plota”, deklaroi Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›