Socialistët thyejnë bojkotin, por rrezikojnë të mbeten pa paga, për mungesat në Kuvend
Betimi i deputetëve socialist, 7 muaj pasi rezultati zgjedhor është certifikuar nga komisioni qendror i zgjedhjeve hap një debat të ri. Mos bërja i vlefshëm i mandatit të deputetit i ka privuar të zgjedhor socialist deri më tash dhe nga paga e deputetit për aq kohë sa ata nuk shkelën në institucionin e Kuvendit. Por duke iu referuar ligjit për statusin e deputetit, mësojmë se socialistët të cilët rrogën e deputetit e kanë të vetmin burim jetese, do të përjetojnë sërish një krizë financiare, nëse skenari i hartuar nga Rama për të hyrë vetëm për një ditë në Kuvend dhe për të dalë sërish, do të vihet në jetë.
Sipas këtij ligji të zgjedhurit e popullit, paguhen në bazë të prezencës së tyre në seancat plenare dhe komisionet parlamentare, ku ata bëjnë pjesë. Praktikisht, ligji parashikon që Drejtoria e Burimeve Njerëzore e Kuvendit, për çdo seancë përgatit një list-prezencë, për praninë ose jo, të deputetëve. Lista më pas i kalon Drejtorisë së Financave të këtij institucioni, që përllogarit shpërblimin financiar në bazë të prezencës.
Thënë thjesht: Shumës me të cilën paguhen deputetët, i zbriten vlera e ditëve që ata kanë munguar në sallën e Kuvendit, apo në komisionet parlamentare.
Pra, pjesëmarrja e djeshme në seancën e parlamentit, për të bërë të vlefshëm mandatin dhe për të vijuar sërish me bojkotin, ata do të paguhen vetëm për një ditë pune.
Gjatë këtyre 6 muajve bojkot, në selinë rozë është pëshpëritur shpesh varianti i futjes në Kuvend, vetëm për të bërë të vlefshëm mandatin dhe për të përfituar për 6 muaj me radhë më pas, pagën duke iu referuar rastit Nano.
Por, ligji për statusin e deputetit parashikon qartë se ish-kryeministrat, ish-ministrat dhe ish-kryeparlamentarët kanë status të veçantë dhe për këtë arsye ata e përfitojnë pagën e deputetit edhe nëse mungojnë pa arsye për 6 muaj rresht në Kuvend. Pra, lajmi i keq për të zgjedhurit që nuk e gëzojnë këtë status, është që ata nuk mund të përfitojnë privilegjin, që ka pasur ish-kryeministri Nano, i cili paguhej edhe pse shkelte në sallën e Kuvendit për raste, që ai i gjykonte të veçanta.