E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mbi bazën e përgjigjeve të sintetizuara do të ndërtohet rruga e anëtarësimit në BE”

Mblidhet Komiteti Ndërministror për Integrimin, miratohen 8 kapituj të tjerë

Qeveria shqiptare është thuajse drejt përfundimit të pyetësorit të Komisionit Europian.
Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit Ministria e Integrimit deklaroi se janë shqyrtuar deri tani përgjigjet e 29 kapitujve (83 për qind) të pyetësorit të Komisionit Europian, ku rreth 1480 përgjigje kanë kaluar filtrin e parë të shqyrtimit.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “mbi bazën e përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Europian do të ndërtohet e gjithë harta e rrugës së anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Kreu i qeverisë vlerësoi angazhimin serioz dhe punën intensive që po bëhet për Pyetësorin, por kërkoi që përgjigjet e pyetjeve të jenë më përmbledhëse.
Duke i konsideruar edhe si kapitujt më të rëndësishëm të pyetësorit, kryeministri Berisha tha se ato përfshijnë 367 pyetje, në përgjigjet e të cilave kanë punuar 350 punonjës. Kryeministri kërkoi që të adaptohet si kriter në dhënien e përgjigjeve edhe hartimi i tyre sa më i sintetizuar, çka do e bënte materialin të lexohet me kënaqësi.
“Puna - tha Kryeministri - është intensive dhe angazhimi është shumë i madh, por është e domosdoshme të jemi më përmbledhës, më sintetizues. Ministria e Integrimit, që e ndjek në mënyrë konstante, informon se po bëhet një punë shumë e madhe, po shkohet drejt finales, por ajo çka unë do t’u kërkoja është të shqyrtoni edhe një herë mundësinë e të qenit më të përmbledhur. Unë e kuptoj dëshirën tuaj për të qenë konsumues total në përgjigjet që jepni, çka është normale për të konsumuar tërësisht materien. Por, në rast se përcaktoni edhe këtë kriter, do të bëjmë që të tjerët ta lexojnë me kënaqësi. Nuk është se vëllimet nuk çojnë peshë, por statistikat dëshmojnë se nuk janë trilogjitë kryeveprat më të lexuara, edhe pse ato janë shkruar nga korifenjtë më të mëdhenj të letrave botërore.”
Kryeministri Berisha, pasi përgëzoi të gjithë ata, të angazhuar në këtë proces, për seriozitetin me të cilin kanë punuar, theksoi se ky proces është jashtëzakonisht i dobishëm për vendin, sepse mbart në vetvete jo vetëm detyrimin e një bilanci, por edhe të një vizioni.
“Duhet të kemi parasysh, tha kryeministri, se mbi këto përgjigje do të ndërtohet nga Komisioni Europian e tërë harta e rrugës së anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Më tej, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu bëri një paraqitje më të detajuar të 8 kapitujve në shqyrtim. Zonja Bregu informoi se deri tani janë shqyrtuar përgjigjet e 29 kapitujve të pyetësorit të Komisionit Evropian, ose 83 për qind të kapitujve, me një total prej 1480 përgjigjesh.
Kapitujt që shqyrtohen trajtojnë politikat e konkurencës, shërbimet financiare, bujqësinë dhe zhvillimin rural, politikat e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë, statistikat, shkencën dhe kërkimin shkencor, arsimin dhe kulturën, politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Në total, këta 8 kapituj përmbajnë rreth 367 pyetje dhe për përgjigjen e tyre janë punësuar 350 punonjës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›