E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama po shqyrton të gjitha opsionet për Libinë

Presidenti amerikan Barak Obama ka deklaruar se po shqyrton çdo opsion lidhur me Libinë, përfshirë dhe sulmet ushtarake.

Në një fjalim të mbajtur në Uashington, Obama ka mbështetur thirrjet e opozitës për largimin e Muamar Gadafit.

Obama e bëri të qartë se nuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së një zone të ndalim fluturimit mbi Libi për të penguar forcat e Gadafit që të bombardojnë forcat anti-qeveritare. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e bëri të qartë se përparësi në këto momente është ndihma ndaj refugjatëve dhe parandalimi i një krize të mundshme humanitare.

"Ekziston rreziku i vazhdimit të situatës aktuale mes grupeve të ndryshme në Libi, që me kalimin e kohës mund të kthehet në të përgjakshme. Ky është një skenar që po e shohim me kujdes. Dua të sigurohem se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetet e plota për të vepruar shpejt nëse situata përkeqësohet dhe krijohet një krizë humanitare", tha Obama.

Brenda Libisë raportohet se mbështetësit e opozitës vazhdojnë të kontrollojnë pjesën më të madhe në lindje të vendit. Forcat e Gadafit kanë filluar një valë arrestimesh, vrasjesh dhe zhdukjesh që kanë si çak mbështetësit e opozitës në Tripoli.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›