Obama presion liderëve të Lindjes: Do ikin edhe të tjerë
Presidenti Barak Obama ka mbajtur të enjten një fjalim mbi marrëdhëniet e SHBA-ve me Lindjen e Mesme, duke e konsideruar vrasjen e Osama bin Ladenit si një shans për të sistemuar marrëdhëniet me botën arabe dhe tha se prioriteti më i lartë i SHBA-ve ishte promovimi i demokracisë në rajon.Obama , në fjalimin e tij të shumëpritur mbi pranverën arabe, ka bërë presion mbi liderin sirian Bashar al Asad, duke thënë për herë të parë se ai duhet të ndalojë shtypjen e protestave dhe të drejtojë një tranzicion demokratik ose të hapë rrugën. Ai i cilësoi protestat popullore në Lindjen e Mesme si një mundësi historike dhe tha se e ardhmja e SHBA-së ishte e lidhur me atë të një rajoni të përfshirë tani nga trazira të paprecedente. Njerëzit janë ngritur për të kërkuar të drejtat e tyre bazë. Dy liderë janë dorëhequr. Shumë të tjerë do ti pasojnë, tha Obama përpara diplomatëve amerikanë dhe të huaj në Departamentin e Shtetit në Uashington. Obama iu referua edhe luftës në Libi. Gedafi me siguri do të largohet nga pushteti dhe Libia do të mund të kalojë në një sistem demokratik, tha ai. Presidenti amerikan shtoi se Edhe në Siri përgjigjja me dhunë është bërë fjala e ditës. Kemi vendosur sanksione të reja kundër Asad dhe qeverisë siriane. Mesazhi ynë për liderët lindorë do të jetë: nëse favorizoni ndryshimin, do të keni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Për reforma nuk mjaftojnë zgjedhjet, duhet respekt për të drejtat e njeriut. Ne favorizojmë eksesin në Internet dhe lirinë e shtypit, u shpreh Presidenti amerikan.
Obama po përpiqet të rifitojë respektin pas një jave intensive diplomacie në Lindjen e Mesme dhe pas vrasjes së Osama bin Ladenit nga skuadra speciale amerikane. Ne i kemi shkaktuar Al Kaedës një dëm të madh me vrasjen e liderit të saj, tha Obama. Bin Laden nuk ishte një martir, ai ishte një vrasës masiv… Bin Laden dhe vizioni i tij vrasës fituan disa përkrahës, por edhe para vdekjes së tij, Al Kaeda po e humbiste luftën e saj, shtoi Presidenti amerikan. Duke kërkuar mbështetje për reformat demokratike, Obama ka planifikuar të njoftojë ndihma prej miliarda dollarësh për Egjiptin dhe Tunizinë për të ndihmuar tranzicionin e tyre politik, pasi revoltat rrëzuan liderët autokratikë. Fjalimi i Obamës ishte përpjekja e parë e madhe për të vendosur protestat antiqeveritare që kanë mbërthyer Lindjen e Mesme në kontekstin e interesave amerikane.
Publikohet mesazhi i fundit i Bin Ladenit
Një regjistrim i Osama bin Ladenit, i bërë pak para se ai të vritej nga skuadra speciale amerikane në Pakistan, u publikua dje nga Al Kaeda. Mesazhi audio ishte 12 minuta i gjatë, ku ish-lideri i organizatës terroriste fliste për një mundësi të rrallë historike për myslimanët që të ngrihen kundër ligjeve të bëra nga njeriu dhe dominimit të Perëndimit. Duke vlerësuar revolucionin në Tunizi dhe Egjipt, ai thotë se ndryshimi do të pasojë në të gjithë botën myslimane. Gjatë mesazhit të tij të regjistruar ai ka thënë se mendoj se erërat e ndryshimit do të fryjnë mbi të gjithë botën myslimane me lejen e Allahut. Ka një udhëkryq serioz përpara jush dhe një mundësi të madhe e të rrallë historike për tu ngritur me Ummah (myslimanët), për të liruar veten tuaj nga shërbimi ndaj dëshirave të ligjvënësve dhe ajo që thotë dominimi i Perëndimit. Pra, për çfarë po prisni akoma? Shpëtoni veten dhe fëmijët tuaj, sepse mundësia është këtu, ka thënë Bin Laden në mesazhin e tij të fundit.