Obama pret në takim presidenten e re të Koresë të Jugut; shqetësim për kërcënimet e Veriut komunist
Presidentja e re e Koresë së Jugut Park Hye-Geun takohet sot në Uashington me presidentin amerikan Barak Obama, për bisedime që pritet të mbizotërohen nga shqetësimet mbi Korenë e Veriut.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney theksoi se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar shumë ngushtë me Seulin për trajtimin e sfidave të paraqitura nga sjellja e Koresë së Veriut.
Ai shtoi se të dy udhëheqësit do të diskutojnë lidhjet ekonomike dhe i quajti marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut “jashtëzakonisht të rëndësishme”.
Presidentja Park Hye-Geun e nisi dje vizitën pesë-ditore në Shtetet e Bashkuara me takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon në Nju Jork.
Kreu i OKB-së tha se ai është i gatshëm të kontribuojë për zbutjen e tensionit dhe nxitjen e paqes në gadishullin Korean, pas kërcënimeve të fundit nga veriu për të sulmuar Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.