E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama shton trysninë për zgjidhjen e krizës së borxheve

Pas takimit dy ditor të nivelit të lartë të grupit G-20 në Francë, që u dominua nga kriza greke e borxhit, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se do të vazhdojë trysninë për masa më të shpejta për zgjidhjen e krizës.

Obama u zotua gjithashtu se do të këmbëngulë për miratimin e ligjit të tij për hapjen e vendeve të reja të punës në Amerikë.

Presidenti Obama u largua të premten nga Kana, duke u shprehur me optimizëm se Evropa do t’i zgjidhë problemet e saj ekonomike, një hap shumë i rëndësishëm ky për rimëkëmbjen ekonomike të botës.

Por ai dhe udhëheqës të tjerë jo evropianë të G20-s duan masa të shpejta, për të ndalur përhapjen e krizës evropiane të borxhit.

“Pasi dëgjova partnerët evropianë gjatë dy ditëve të fundit, kam besim se Evropa ka kapacitet të për ta përballuar krizën.

E di që nuk është e lehtë, por tepër kritike për momentin është të veprohet”, theksoi Obama.

Udhëheqësit evropianë të G-20s shprehën vendosmërinë për t’u marrë seriozisht me problemin e borxhit.

Por masat e menjëhershme, për të cilat kishte shpresuar administrata Obama nuk u konkretizuan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›