E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama takohet me udhëheqës të Kongresit për borxhin

Presidenti Barak Obama ka ftuar udhëheqësit e Kongresit sot në Shtëpinë e Bardhë për një takim të nivelit të lartë që synon pakësimin e borxhit.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë në orët e vona dje ku thotë se nëse republikanët dhe demokratët dështojnë të zgjidhin sfidat fiskale, ata do të konfirmojnë cinizmin që kanë amerikanët ndaj politikës në Uashington.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha dje se ka hequr dorë nga përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse me Shtëpinë e Bardhë për të pakësuar defiçitin federal me 4 trilionë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme.

Zoti Boehner deklaroi se i kishte thënë Presidentit Obama se tani kërkon një marrëveshje për pakësimin e deficitit në masën 2 trilionë dollarë meqë Shtëpia e Bardhë nuk do të kërkojë arritjen e një marrëveshje pa rritur taksat.

Republikanët kanë qënë të paepur në pozicionin e tyre se nuk do të mbështesin rritjen e taksave. Zoti Boehner tha se negociatat duhet të përqëndrohen në pakësimin e deficitit siç është identifikuar nga një grup dypartiak i udhëhequr nga nënpresidenti Joe Biden.

Më parë zoti Obama tha se demokratët dhe republikanët duhet të dalin nga pozicionet e tyre komode dhe të bëjnë sakrifica politike për të përballur sfidat fiskale të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›