E Diel, 1 Nëntor 2026

Objektivat e Rexhepit

Dardan Rexhepi synon që këtë vit të ketë status titullari te Malmo. Sulmuesi kosovar e vlerëson pozitiv vitin 2010, ku debutoi dhe e fitoi titullin me ekipin suedez. Ai mezi pret të luajë në Ligën e Kampionëve, por objektiv e ka edhe mbrojtjen e titullit. 19 vjeçari planifikon që edhe për disa vite të mos largohet nga Malmo. Nga Express më 27 janar 2011 në ora 12:19

Një vit më parë, Dardan Berisha ishte anonim, nuk e njihte askush. Mirëpo, përfshirja e tij në ekipin e parë të Malmos ndryshoi gjithçka. 19 vjeçari është bërë i njohur në qytetin suedez dhe më gjerë.

Madje, atë kanë filluar ta krahasojnë me yllin suedez Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi prishtinas nuk pati shumë paraqitje sezonin e kaluar, por ai u shpall kampion i Suedisë me Malmon.

“Ta them të drejtën, nuk e kam pritur këtë. Mirëpo, kjo është e bukura e së ardhmes, e cila nuk dihet kurrë. Edhe pse kisha pritur të kaloja në ekipin e parë, doli më mirë se që e prisja”, tha fillimisht Rexhepi në një intervistë për ueb faqen suedeze svenskafans.com

Sulmuesi korpulent, i cili në ekipin e kaltër luan me bashkëkombësin e tij, Agon Mehmeti, pret që në vitin 2011 të zhvillohet edhe më tutje si futbollist.

“Ambicie e imja është që ta siguroj një vend në përbërjen e parë të Malmos. Këtë do të mundohem ta bëj me punë gjatë përgatitjeve para-sezonale. Dëshiroj ta demonstroj se e meritoj një gjë të tillë. Natyrisht, është e qartë se jam mjaft i kënaqur me vitin 2010. Kam luajtur 220 minuta, kam shënuar dy gola dhe kam dhënë dy asistime, duke kontribuuar në fitoret e skuadrës”, rrëfen futbollisti me nënshtetësi suedeze.

Përpos pozitës së titullarit, Rexhepi shpreson që këtë vit të mund të fitojë tituj të tjerë me Malmon. Rexhepi është i vetëdijshëm se në çdo ndeshje të Malmos në stadium janë të pranishëm skautë të ndryshëm nga e gjithë Evropa, të cilët i përcjellin nga afër talentët e këtij ekipit. Mirëpo, 19 vjeçari momentalisht është i përqendruar te Malmo, ku planifikon të luajë edhe disa vite.

“Ajo që mendoj është se e ardhmja ime lidhet me futbollin suedez. Ka zëra të ndryshëm, por nuk ka asgjë konkrete. Ndiej se duhet t’i jap shumëçka tjetër Malmos. Tash na pret viti 2011 dhe kemi shumë gjëra përpara. Dëshiroj të jem pjesë e mbrojtjes së titullit dhe e eksperiencës së re - Ligës së Kampionëve. Mezi pres t’i shijoj këto”, nënvizoi ai.

Natyrisht, si çdo futbollist tjetër, pasi të piqet si futbollist në Suedi, Rexhepi synon të luajë në një kampionat më të fortë evropian. Rexhepi e sheh veten si kapiten i Malmos në të ardhmen. Ai thotë se nuk do ta harrojë kurrë golin që e shënoi në derbi ndaj Helsingborg përpara 24 mijë shikuesve, kur kishte përjetuar ndjenja të papërshkrueshme.

Se Rexhepi është në të vërtetë i famshëm, ai e tregon një ngjarje mjaft interesante që i kishte ndodhur në Malmo gjatë vitit të kaluar. “Në një rast nuk e kam paguar udhëtimin me tren nga Malmo në Lund. E kisha harruar kartelën në shtëpi, por për fat të mirë konduktori më pyeti nëse jam Dardan Rexhepi. Nuk munda t’i them jo. Ai më njohu dhe më tha se nuk kam nevojë të paguaj. Madje, ai kërkoi një autograf nga unë”, përfundoi Rexhepi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›