E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, i pavendosur

Valdet Rama ende është i pavendosur rreth së ardhmes. Sulmuesi kosovar ka disa oferta nga klubet gjermane, por nuk e përjashton mundësinë që të mbetet në Hannover deri në verë. Nga Moral Pozhegu më 27 janar 2011 në ora 11:55

Kur kanë mbetur edhe disa ditë deri në përfundim të afatit kalimtar të janarit, sulmuesi i Hannoverit, Valdet Rama ende është i pavendosur rreth së ardhmes.

Reprezentuesi i Kosovës ka disa oferta nga klube të Bundesliga 1 dhe 2. Por, sulmuesi me prejardhje nga Mitrovica nuk e përjashton mundësinë që të mbetet në Hannover deri në afatin kalimtar të verës.

“Kam disa oferta, por ende nuk e di se çfarë do të ndodhë. Sipas të gjitha gjasave, edhe gjashtë muaj do të mbetem këtu në Hannover dhe verës të shikoj ndonjë mundësi tjetër”, ka thënë Rama për Express.

“Nëse gjatë këtyre ditëve marr ndonjë ofertë të mirë, ka gjasa që të largohem nga Hannoveri, në të kundërtën jo”, shton ish-sulmuesi i Wolfsburgut.

Rama po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Sulmuesi kosovar ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje me skuadrën e Hannoverit në Bundesligë, edhe pse është në formë të mirë.

Nëse mbetet në Hannover, sulmuesi kosovar thotë se do ta japë maksimumin pavarësisht se a do ta ftojë në skuadër trajneri gjerman, Mirko Slomka apo jo.

“Unë do ta jap 100-përqindëshin në stërvitje pavarësisht se a do të luaj apo jo. Unë do të punoj me të gjitha forcat, sepse kjo është për të mirën time”, përfundoi Rama, i cili në Hannover arriti në verën e vitit 2009, nga skuadra Ingolstadt 04.

Rama në fanellën e Hannoverit ka debutuar më 2 gusht të vitit 2009, në ndeshjen e kupës së Gjermanisë kundër Eintracht Trierit. Ndërsa, dy javë më vonë mitrovicasi ka debutuar edhe në Bundesligë, ku i ka zhvilluar 15 ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›