E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oda e hip-hopit

Hip-hop artisti i njohur amerikan, The Rugged Man, do të jetë këngëtari i radhës që do të mbajë koncert në Prishtinë. Më 10 nëntor, Teatri Oda do të jetë i mbushur me adhurues të tij dhe të muzikës hip-hop.

Kryeqyteti i Kosovës dalëngadalë po shndërrohet në një vend shumë të dashur për këngëtarët e muzikës rap dhe hip-hop. Pas koncerteve të shumta që janë mbajtur deri më tani, në Prishtinë do të performojë edhe një këngëtar amerikan i muzikës hip-hop. Ai është The Rugged Man, i njohur me këngët e tij si ‘Uncommon Valor’, ‘Nosebleed’, ‘Crazy Man’ etj. Ai do të mbajë koncert në Teatrin Oda më 10 nëntor.

Jeton Tanaj, menaxher në Mindless Promotions, kompani kjo që do të organizojë koncertin, tregoi për Express se The Rugged Man e ka konfirmuar ardhjen dhe do të performojë më 10 nëntor. Ai tregoi gjithashtu se bileta do të kushtojë pesë euro.

“E kemi përzgjedh këtë këngëtar se zakonisht po shkohet më shumë kah muzika rap. Ky këndon atë që quhet ‘true hip-hop’ gjë që është duke munguar kohëve të fundit në Prishtinë. Ky është goxha i vjetër dhe goxha i njohur në rrymën hip-hop”, u shpreh Tanaj.

Në këtë koncert do të performojnë edhe këngëtarë dhe DJ të tjerë. Tanaj tregoi se do të vijë Taste Two prej Shkupit, si dhe tha se janë në negociata edhe me një këngëtar që do të vijë nga Suedia.

“Ai do të na lajmërojë brenda javës. Gjithashtu do të jenë edhe disa DJ të Kosovës”, shtoi ai.

Kompania Mindless Promotions që dy vite ka organizuar ndeja të ndryshme jo aq të mëdha si tani dhe jo me këngëtarë të huaj por kryesisht me këngëtarë vendorë.

Ai theksoi se qëllimi kryesor i këtij eventi është promovimi i vlerave kulturore urbane përmes muzikës.

“Dihet që muzika luan rol kryesor në jetën e rinisë dhe në mbarë botën. Për fat të keq rinia kosovare ka pasur shumë pak mbështetje në avancimin e kulturës urbane në çdo aspekt e sidomos në zhanrin e muzikës hip-hop dhe drum and bas por edhe në zhanret tjera. Mungesa e evenimenteve kulturore-muzikore shpie deri te depresioni i rinisë, gjë që ‘Mindless Group’ e lufton me anë të muzikës”, tha Tanaj.

Ai shpreson se në këtë koncert do të vijnë adhuruesit e vërtetë të hip-hopit, pasi që Teatri Oda nuk ka hapësirë shumë të madhe dhe nuk zë më shumë se 500 apo 600 veta.

“Më shumë se 500 apo 600 veta nuk e besoj se i zë Teatri Oda, por po kam dëshirë që të jenë vetëm adhurues të hip-hopit dhe të mos ketë shumë tollovi, por ata që vijnë ata të kënaqen”, tha ai.

The Rugged Man, emri i të cilit është RA Thornburn, është një reper i cili famën e fitoi gjatë viteve të nëntëdhjeta. Ai ka bashkëpunuar me këngëtarë dhe MC të njohur si Notorious B.I.G., Mobb Deep, Chuck D., anëtar i grupit Public Enemy, Wu-Tang Clan etj.

Përpos muzikës, ai ka shkruar edhe recensione për albume muzikore si dhe ka shkruar tre skenarë për film.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›