Flamuri shqiptar ngrihet në selinë e NATO-s, kombi ndihet krenar

Aleanca e Atlantikut të Veriut ka njohur rëndësinë e jashtëzakonshme që ka kontributi i Shqipërisë për stabilizimin e rajonit. Kryeministri Sali Berisha ka qenë dje kontribuesi i madh i shtetit shqiptar që na ka përfaqësuar në ngritjen e njërit nga flamujt shtetërorë më të vjetër të Evropës në selinë e aleancës më të madhe ushtarake të shteteve të lira
Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, dje, në një ceremoni solemne u ngrit në selinë e NATO-s, në Bruksel, flamuri shqiptar, përkrah flamujve të 26 vendeve të tjera anëtare të Aleancës. Së bashku, me flamurin shqiptar, u ngrit edhe flamuri kroat, një nga dy vendet më të reja anëtare të NATO-s.
Në këtë ceremoni, në të cilën merrte pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jaap De Hoop Scheffer, delegacioni shqiptar kryesohej nga Kryeministri Sali Berisha dhe në përbërje të tij ishte Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha dhe ambasadori shqiptar në NATO Artur Kuko. Delegacioni kroat, gjithashtu i pranishëm në këtë ceremoni, kryesohej nga Kryeministri Ivo Sanader.
Ceremonia nisi me ekzekutimin e himnit shqiptar, shoqëruar në të njëjtën kohë edhe me ngritjen e flamurit tonë kombëtar. Më pas, është luajtur himni kroat, i shoqëruar gjithashtu me ngritjen e flamurit kroat, dhe pas himneve të Shqipërisë dhe të Kroacisë në fund është luajtur dhe himni i NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Scheffer, duke përshëndetur Kryeministrin Berisha dhe homologun e tij kroat, Sanader, u shpreh se “është nder shumë i madh që dy vendet tuaja zunë vendet e tyre në tryezën e Aleancës disa ditë më parë. Është kënaqësi shumë e madhe për të gjithë ambasadorët e NATO-s këtu, si dhe për mua personalisht t’ju shpreh mirëseardhjen tuaj këtu”.
Ai u shpreh më tej se “Aderimi i Shqipërisë dhe Kroacisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Sigurisht, për këto dy anëtarë të rinj të NATO-s, për të gjithë rajonin dhe Aleancën në përgjithësi. Për Shqipërinë dhe Kroacinë, duke u bërë anëtarë i plotë i NATO-s është shpërblimi më i madh për përgatitjet që janë bërë për shumë vite, është një tregues i qartë i vizionit të atyre që për vite të tëra e kanë parë të ardhmen e tyre tek NATO. Të dy këto vende tani do të kenë vendin e tyre në tryezën tonë, ku bëhen vendime për të formësuar sigurinë tonë euro-atlantike dhe të dy këto vende tani mund të gëzojnë edhe garancitë më të mëdha të sigurisë që rrjedhin nga Traktati i Uashingtonit” u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer.
Hyrja në NATO e Shqipërisë dhe Kroacisë, vijoi Scheffer, përbën një shembull inkurajues për të gjithë vendet që ndjekin të njëjtin objektiv dhe bëjnë të njëjtin udhëtim.
Ndërsa Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni u shpreh se, “jam sot këtu në këtë ceremoni solemne për të marrë pjesë dhe për të përshëndetur ngritjen e Flamurit tim kombëtar. Këtu, në selinë e NATO-s, krahas flamujve më krenarë të vendeve më të fuqishme dhe të lira të Aleancës. Për këtë flamur dhe për kombin që ai përfaqëson kjo është dita e lavdisë sime të madhe pas ngritjes së tij ditën e pavarësisë së Shqipërisë”. Duke përshkruar të gjithë rrugën e ndjekur deri më tani nga qeveria, deri në mbërritjen e këtij suksesi të jashtëzakonshëm, Kryeministri Berisha tha se procesi i anëtarësimit në NATO ka qenë motivi më i fuqishëm i veprimit të reformave të gjithanshme të mazhorancës.
Në këtë kontekst Kryeministri Berisha tha më tej se “reforma të thella kushtetuese dhe institucionale, me frymë të plotë konsensusi të paparë, kanë ndodhur këto katër vite. Forcat tona të armatosura po shkojnë drejt një ushtrie profesioniste. Kemi një buxhet mbi 2 për qind të PBB-së dhe po aftësohen për të marrë pjesë në të gjitha misionet e NATO-s”, deklaroi kreu i ekzekutivit.
Kryeministri kroat Ivo Sanader u shpreh gjatë ceremonisë zyrtare të organizuar në Selinë e NATO-s në Bruksel për ngritjen e flamurit të Shqipërisë dhe të Kroacisë se “Bosnjë-Hercegovina ka të drejtë gjithashtu për një të ardhme atlantike. Po kështu edhe Kosova, të cilën, Kroacia e mbështet plotësisht”, theksoi ai. Sanader theksoi se hyrja e vendit të tij në NATO ishte realizimi “i një objektivi strategjik” të Zagrebit që prej pavarësisë së Kroacisë në vitin 1991.
Ai tha se shpresonte edhe në suksesin e Maqedonisë, anëtarësimi i së cilës duhej të ishte festuar në të njëjtën kohë me atë të Shqipërisë dhe Kroacisë, por që prej një viti është bllokuar nga Greqia për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me emrin e saj. Mes flamujve të vendeve anëtare të NATO-s valëvitej flamuri shqiptar dhe ai kroat, ku ndër ta, flamuri italian ishte vënë në gjysmështizë për shkak të tërmetit shkatërrimtar, që goditi dje Abruzzo-n.
Shqipëria dhe Kroacia janë bërë anëtarët e 27 dhe 28 të NATO-s, në valën e pestë të zgjerimit të Aleancës Atlantike që prej krijimit të saj në vitin 1949.
Drejtpërdrejt nga Brukseli, emocionet e kësaj ceremonie u përcollën edhe në Tiranë, nëpërmjet një ekrani të vendosur në hyrje të selisë së Këshillit të Ministrave, duke u mundësuar qytetarëve shqiptarë të ndjekin drejtpërdrejtë këtë moment historik për vendin. Më 1 prill 2009, Shqipëria dhe Kroacia u bënë dy vendet më të reja të Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas depozitimit në Departamentin e Shtetit në Uashington, të Instrumentit të Aderimit. Për herë të parë, të dy vendet morën pjesë si anëtare me të drejta të plota në NATO-s, në Samitin e Aleancës më 3-4 prill, në Strasburg-Kehl.
...