Ofensivë e re e forcave siriane

Raportet për operacione të reja ushtarake vijnë pasi që regjimi sirian refuzoi një plan të Ligës Arabe për dërgimin e një force paqeruajtëse në Siri.
Aktivistët thonë se armata siriane ka vazhduar me bombardimin e qytetit qendror të Homsit dhe qytetit të Rastinit, ndërsa forcat tokësore kanë sulmuar zonat afër Damaskut.
Qeveria e Sirisë tha më herët se “në mënyrë kategorike e refuzon" planin e Ligës Arabe për të filluar kontakte me opozitën siriane dhe për t'i kërkuar OKB-së dërgimin e një force paqeruajtëse, me qëllim të ndalimit të konfliktit 11 mujor.
Aktivistët kumtuan se në qytetin qendror Homs, i cili është bastion i opozitës, e cila po lufton kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad, kanë humbur jetën 23 persona. Të paktën 13 prej tyre janë vrarë në lagjen Baba Amro, precizoi Qendra siriane për vëzhgimin e të drejtave të njeriut.
Qendra siriane, selia e së cilës është në Londër, theksoi se në disa lagje të Homsit ka mungesë të bukës, veçanërisht në ato, të cilat i janë nënshtruar sulmeve nga ana e forcave të regjimit.
Sulmet me tanke në qytet janë ripërtërirë herët në mëngjes, ndërsa zjarri është drejtuar nga dy lagje sunite të Homsit, ku opozita kundër regjimit është më e fuqishme, në Baba Amro dhe Al Vaer.