E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oferta e AAK-së parasheh qeverisje të re

Oferta e AAK-së për koalicion me PDK-në parasheh qeverisje të re, ndërsa zyrtarë të PDK-së thonë se nuk është koha për lëvizje të mëdha në skenën politike, ndonëse nuk e përjashtojnë mundësinë e bashkëqeverisjes me AAK-në.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi edhe një herë se është i gatshëm të hyj në koalicion me PDK-në, por me kusht që oferta e tij të merret parasysh, që parasheh qeverisje të re.

“Ne ofrojmë Qeveri të re në bashkëpunim me PDK-në, por qeveri të re me kryetar qeverie, pra qeveri të re. Ky është një projekt tepër serioz dhe tepër i ndjeshëm, e mira e së mirës është një mundësi me i dhanë dinamikë jetës qeverisëse”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se është duke pritur që oferta e tij për bashkëqeverisje të diskutohet me PDK-në, raporton RTK
Ndërsa zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos e mohuar një bashkëpunim në të ardhme, thonë se në parti ende nuk është diskutuar për mundësinë e përfshirjes së AAK-së në Qeveri. Shefi i Grupit Parlamentarë të PDK-së, Adem Grabovci përsëriti qëndrimin se koalicioni aktual është mjaft stabil dhe funksional.

“Ne kryeministrin e kemi, është vlerësuar si një nga njerëzit më të suksesshëm. Kemi hy në një proces i cili është tepër i rëndësishëm dhe as qytetarët e Kosovës nuk lejojnë të bëhen lëvizje, sepse edhe nëse duam ne, kjo është e palejueshme dhe nuk është produktive. Sërish po e them që koalicioni aktual është satbil dhe funksional por nuk e përjashtojmë mundësinë e zgjerimit të këtij koalicioni dhe është i mirëseardhur”, tha Grabovci.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se nuk pret ndonjë përmirësim të qeverisjes, në rast të formimit të këtij koalicioni. Ndryshe Ramush Haradinaj, tha se AAK do të mbështes proceset e rëndësishme në vend edhe nëse oferta e tij për qeverisje nuk jetësohet. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›