Grabovci: Me Jakupin jemi miq të vjetër

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci nuk ka dashur të komentojë nëse i ka kërkuar falje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas skandalit te përgjimeve, duke thënë se kanë raporte shumë të mira në mes vete.
“Ne kemi raporte shumë të mira me kryetarin e Kuvendit, respektojmë kemi ndërtuar raporte shumë herët dhe jemi miq të vjetër”, ka thënë Grabovci, raporton Express.
Ditë më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se publikimi i përgjimeve telefonike, me emrat e personaliteteve të skenës politike të Kosovës, pa marrë parasysh a janë të vërteta apo të falsifikuara, kanë skandalizuar të gjithë ata që i kanë dëgjuar.
“Nëse janë të falsifikuara akterët e apostrofuar në këto biseda mund të ngrisin padi kundër falsifikatorëve. Ndërsa, nëse janë autentike, nuk habitem dhe skandalizohem, sepse jam i vetëdijshëm që bisedat private, jashtë kamerave dhe publikut nxjerrin në shesh karakteret e vërteta të tyre, sidomos të personaliteteve publike që kanë frustracione të shumta nga pamundësia që të imponojnë pikëpamjet e tyre në skenën publike”, ka thënë Krasniqi./Indeksonline/