E Diel, 1 Nëntor 2026

Oferta më e lartë financiare, Kurum International me 110 milionë euro

22-12-2012 / Gazeta 55

Mbyllet tenderi për privatizimin e hidrocentraleve “Bistrica 1 dhe 2” si dhe “Ulëz-Shkopet”. Megjithë konjukturën jopozitive, ofertat e tërhequra janë shumë të larta, ku bie në sy oferta më e lartë e Kurum-it, prej 110 milionë eurosh. Ministria e Ekonomisë e cilësoi procedurën si krejtësisht transparente
 
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës çeli dje ofertat për privatizimin e shoqërive HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh. a., dhe shoqërinë HEC Ulëz Shkopet sh.a.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në praninë e mediave hapi zarfet me dokumentet teknike dhe financiare për shitjen e katër hidrocentraleve.
Fillimisht nisi hapja e tenderit për shoqërinë HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a. Oferta e parë financiare ishte e Georgian American Alloys me 30.355.000 euro, e dyta me 44.847.496 euro e kompanisë nga Bosnje Hercegovina, Energolinija LLC, e treta me 27.500.000 euro e Konsorcium TRE SPA- Italy Novapower- Camuna Idroelecttricha 27.500.000 euro. Dhe oferta e katërt e financiare për Bistrica 1,2  me 19 milionë e 300.000 euro e kompanisë turke, Çalik Enerji. Pjesë e tenderit ishin edhe dy kompani shqiptare. ERPA Investment ofroi 35.100.000 euro dhe Agna Consorciom 37 milionë e 100 mijë euro. Ndërsa oferta financiare e Kurum International sh.a ishte më e larta ndër kompanitë pjesëmarrëse në tender me 52 milionë euro. Më pas u hapen ofertat për të interesuarit për privatizimin e shoqërisë HEC Ulëz Shkopet sh.a. Oferta e parë financiare e amerikanëve Georgian American Alloys, me 26 500 000 euro, e dyta e Energolinija me 31 888 084 euro, e treta i takon turqve të Çalik Enerji me 15 800 000 euro dhe oferta e katërt e Kurum International me 57 500 000 Euro.
Kësisoj, edhe për privatizimin e Ulëz Shkopet, Kurum International sh. a., depozitoi ofertën më të lartë.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Sokol Dervishaj tha se pas hapjes së zarfeve, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në bashkëpunim me konsulentin IFC, do të vijojnë me verifikimet dhe vlerësimet e nevojshme për procedurat e mëtejshme. Sipas tij, procesi megjithëse konfidencial do të jetë transparent.
“Komisioni do të tërhiqet për të vijuar me detyrimin e mëtejshëm, vlerësimin e ofertave dhe përpilimin e raportit përfundimtar që do rendisim edhe nëpërmjet pikëzimit të ofertave financiare dhe teknike. Pas verifikimit përkatës dhe vlerësimit përkatës. Procesi ka konfidencialitetin e tij, nuk do ju fshehim gjë, por duhet kohë për të evidentuar gjithë procesin”, u shpreh zëvendësministri, Dervishaj. 
Ofertat për tenderin për shoqërinë HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a
1- Georgian American Alloys, Inc 30.355.000 euro
2- Energolinija LLC 44.847.496 euro
3- Consortium:- TRE SPA- Italy Novapoëer- Camuna Idroelecttricha 27.500.000 euro
4- Çalik Enerji 19.300.000 euro
5- Kurum International Sh.A 52.000.000 euro
6- ERPA Investment 35.100.000 euro
7- Agna Consortium 37.100.000 euro
 
Ofertat për tenderin për shoqërinë HEC Ulëz Shkopet sh.a
1- Georgian American Alloys, Inc 26.500.000 euro
2- Energolinija LLC 31.888.084 euro
3- Çalik Enerji 15.800.000 euro
4- Kurum International sh.a 57.500.000 euro

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›