Hvala Dacicu!
S’mbet kush pa sharë e mallkuar. Jo vetëm autorët e Platformës serbe, por edhe këta tanët për mëkatin që qenkan ulur në bisedime me autorët e kësaj platforme millosheviqiane. Megjithatë, nuk thonë kot se çdo e keqe zakonisht e ka një të mirë prapa. Në këtë prizëm, ndoshta shqiptarët kanë më shumë arsye ta falënderojnë Serbinë për këtë platformë të paraqitur. Sepse Platforma serbe hap “kutinë e Pandorës” të ndryshimit të kufijve. Serbia kur ka kërkuar një model të tillë, s’ka mundësi të mos ketë llogaritur në reciprocitet dhe analogji jo vetëm me Luginën e Preshevës, por edhe më gjerë. Me Republikën e Sanxhakut me kryeqytet Pazarin e Ri e Ali Blytë Gjakovën, përmendorja e të cilit jo shumë moti është aktualizuar si shumë. Sigurisht edhe me Republikën e Vojvodinës, autonomistët e së cilës nuk u mposhtën as pas kaq viteve të “jogurt revolucionit“ të dhunshëm apo edhe me autonominë e komunitetit rumun në Serbinë lindore, që nga Bukureshti u aktualizua si kusht në rrugën e Serbisë drejt Evropës. Nëse ajo “pi ujë“, nëse Platforma e tillë pranohet nga qarqet evropiane, kush ka të drejtë që një republikë të tillë t’ua mohojë, për shembull shqiptarëve në Maqedoni apo edhe më tej, në Mal të Zi? Me çfarë arsyetimi atyre do t’u thuhej: Jo!. Kjo vlen vetëm për serbët, por jo edhe për të tjerët? Sidoqoftë, diçka e tillë, moti kohë s’na ka shokuar kaq shumë. A ka dikush ide që, pas kësaj, si të shkohet më tutje. Platforma Nikoliqit e Daçiqit, tandemit që moti kanë siguruar tapinë e nacionalizmit serb, ka rënë si bombë në Prishtinë. Diçka që nuk pritej. Së paku jo në këtë variant. Sidomos pas toneve që dukeshin racionalë, deklarimeve si shpesh se Serbia ka zgjedhur rrugën evropiane, se është e vetëdijshme që nga luftërat e fundit nuk kishte dalë fituese dhe se do të sillej në përputhje me këtë realitet.
Megjithatë, krejt ajo retorikë paska qenë farsë. Ose vetë Platforma është farsë. Blof për konsum të brendshëm që do t’u shërbejë si arsyetim se qe, ne e kishim planin e mirë, i provuam të gjitha, por nuk kishte mundësi të realizohej. E tillë çfarë është, as vetë autorët, me garant, nuk besojnë se ajo mund të realizohet. Sepse nëse platforma e tillë e Serbisë do të realizohej, një Republika Srpska me kryeqytet Mitrovicën veriore e shtrirje edhe në komunat me shumicë serbe, me qeverinë, parlamentin e gjyqësinë e vet, çka do të mbeste nga Kosova? Kujt do t’i duhej një shtet dhe territor i tillë jofunksional. I gjymtuar e i paralizuar. Shtet që nuk do të kishte as ushtri e mekanizma tjerë mbrojtës që do ta bënin kafshatë të lehtë kurdo t’i çohet i dikujt. Një territor i shpërfytyruar nga çdo gjë që shtetin e bën shtet, një territor për sigurinë e së cilës do të përkujdeseshin forcat ushtarake të BE-së (EUROCORPS), Ushtria e Serbisë dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë!.
Oferta që vazhdimin e bisedimeve të nisura e kushtëzon me pakon: “Asgjë nuk është marrë vesh derisa të mos merren vesh për të gjitha” me fjalë të tjera e bllokon procesin e nisur.
Edhe nëse vjen nga Nikoliqi e Daçiqi, çka është shumë, shumë është. Sa për kështu, faleminderit!. Por duket ofertë anakronike, jashtë kohës e hapësirës, madje në atë anën tjetër të arsyes. Nikoliq e Daçiq me këtë, së paku nja 15 vjet janë të vonuar. Një propozim i tillë po t’u ketë ardhur shqiptarëve diku në vitet para 1999-tës, para se mbi kokat tona të fluturonte “Engjëlli Mëshirues“, dikë mund edhe ta luhaste. Por, tash pas 13 vjetësh, tash kur gjithçka ka ndryshuar, madje rrënjësit, kur Kosova është shtet i pavarur, i mbështetur nga fuqitë më relevante të botës, i njohur nga shumica kombeve të lira, anëtare të OKB-së, oferta e tillë, vërtet është skandaloze. Madje tepër ofenduese.
Sa për kështu, faleminderit shumë!.
E nëse Platforma juaj e hap “kutinë e Pendores” dhe legjitimon modelin e “republikave srpska” gjithandej rajonit, nëse na e heq qafe albanofobinë që ka nisur të ngjallet në rajon me akuzat se synojnë bashkimin kombëtar, sërish faleminderit!. Madje shumë!. Sepse, kur e përmendën shqiptarët bashkimin, qoftë edhe me euforinë e 100-vjetorit, gjithë bota na u ra në qafë. Se shqiptarët janë ata që po e rrezikojnë Ballkanin. Por, kur këtë e nisën në Beograd, neve nuk na mbetet tjetër përveç t’iu falënderojmë. Hvala Dacicu!
Marrë nga e përditshmja e Prishtinëz “Zëri”