“Ekzekutohen” kolegjet

Në Kosovë ende ekzistojnë kolegje që kanë akreditim institucional ndërsa regjistrojnë student në degë të paakredituara. Me gjithë vërejtjet e Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA), disa institucione private të arsimit të lartë kanë vazhduar veprimtarinë ilegale, duke regjistruar studentë pa u proceduar si degë që të legalizohet. Pra,studentët janë regjistruar në kolegje (degë) inekzistente për ligjin dhe AKA-në, si organ kompetent për sigurimin e cilësisë dhe akreditimin e tyre.
Por, këto kolegje janë hetuar dhe ndëshkuar nga agjencia, kurse ekzekutimi i vendimit do të bëhet nga Ministria. Këshilli Shtetëror i Cilësisë në AKA, në një nga mbledhjet e radhës ka marrë vendime që këto degë të kolegjeve të mbyllen, vendim ky që i është përcjellë menjëherë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), e cila ka inspeksionin për ta bërë këtë punë ( t’i mbyllë ato), organ ky që ende i mungon agjencisë. Vendimet e bordit të agjencisë janë pohuar nga vetë përfaqësues të këtij bordi, duke i quajtur një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e cilësisë ligjit dhe aq më shumë studentit që shkon të studiojë në një institucion, i cili hiqet sikur ka akreditim.
Pesë vendimet që ka marrë bordi i agjencisë të siguruara nga “Zëri” janë : 1. Akreditohen tri programe të doktoratës në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, 2. Akreditohet programi master në Fakultetin e Shkencave Aplikative në Ferizaj, me kusht që të përfundojë objekti i ri, 3. AUK akreditohet si kolegj, 4.Vendim për mbylljen e menjëhershme të dy degëve të paakredituara të Kolegjit Universum në Gjakovë dhe në Prizren, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga fillimi i vitit akademik përkundër vërejtjeve të bëra nga AKA në dy mbledhjet e mëhershme, 5. Vendimi për mbylljen e dy degëve të paakreditruara të Kolegjit të Biznesit , në Prizren dhe në Vushtrri që kanë vepruar ilegalisht përkundër vërejtjeve të bëra nga AKA në mbledhjet e mëparshme. Këto vendime janë konfirmuar nga kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Ferdije Zhushi-Etemi, e cila ka thënë për “Zërin” se vendimet si të tilla tashmë i janë përcjellë Ministrisë dhe pritet ekzekutimi i vendimit.
“Nuk i kemi dhënë ndonjë afat Ministrisë, por kuptohet që nga nxjerrja e këtyre vendimeve dhe nënshkrimi i tyre nga anëtarët e bordit ato duhet të zbatohen”. Ajo ka theksuar se dhe kohë më parë i ishin bërë vërejtje kolegjit Universum dhe atij të Biznesit për veprimtari ilegale në këto degë, megjithëkëtë, sipas saj këto institucione kanë vazhduar punën në kushte krejtësisht në kundërshtim me ligjin -të paakredituara. “Dy herë iu është bërë vërejtje, madje dhe dy herë ka qenë inspektorati i MASHT-it, prandaj agjencia në mbledhjen e rregullt të bordit më 17 prill mori vendim dhe ka kërkuar nga MASHT që këto degë të këtyre institucioneve të mbyllen, pra gjithmonë vetëm aty ku janë të paakredituara”. Zhushi-Etemi ka theksuar se asnjë degë në kuadër të institucioneve nuk lejohet me ligj të funksionojë i paakredituar.
“Universumi është i akredituar për Prishtinë dhe Ferizaj kurse Biznesi për Prishtinë dhe Gjakovë. Këto degë do t’i nënshtrohen riakreditimit, por degët që janë propozuar për mbyllje janë të reja dhe nuk është dashur të fillojnë veprimtarinë para se të akreditohen”, ka sqaruar Zhushi-Etemi. Sipas saj asnjë kolegj i akredituar nuk mund të hapë degë të reja pa iu nënshtruar ato degë vlerësimit nga ana e AKA-së. “Vetëm kur të marrin vlerësim pozitiv mund të fillojnë veprimtarinë. AKA do të veprojë njësoj me të gjitha institucionet që tentojnë të zgjerojnë veprimtarinë në mënyrë joligjore”.
Ndërsa sa i përket vendimit që Universiteti Amerikan i Kosovës (AUK) të quhet kolegj, ajo ka theksuar se vendimi i bordit është mbështetur në studimet që ofron ky institucion vetëm në ciklin bachelor, pra ofron programe, sipas saj që në të shumtën krijojnë shkathtësi praktike të studentëve, e që i përshtatet natyrës së kolegjit. “Por, duhet ta pranojmë se vlerësimi i ekspertëve potencon se cilësia në AUK dallon(pozitivisht) shumë nga kolegjet tjera”. Prandaj, sipas ligjit ajo ka thënë se rekomandohet të emërtohet kolegj. Zhushi-Etemi tha se programet e akredituara në doktoratë në Fakultetin e Filologjisë janë Gjuhësia, programi i Letërsisë dhe programi Komunikim dhe Gazetari.
Agjencia e Akreditimit do të ketë ligj më vete
Zhushi-Etemi ka theksuar se së shpejti Agjencia do të ketë dhe ligjin e vet. MASHT ka dhënë vizën për hartimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Akreditimit. Kjo agjenci deri tash ka funksionuar në bazë të udhëzimeve administrative te MASHT-it dhe Ligjit mbi arsimin e lartë. Kryetarja Zhushi-Etemi e vlerëson këtë si një siguri më të madhe që Agjencia të veprojë e pavarur, pavarësisht se mohon të ketë pasur ndikime më parë nga MASHT-i. Ajo e quan ligjin për AKA-n një mundësi më të madhe të zhvillohet dhe veprojë më shumë.
MASHT pro AKA-së
Ministria e Arsimit do të përkrahë çdo vendim të AKA-së. Arbër Morina, zëdhënës i kësaj ministrie ka deklaruar për gazetën se vendimi i agjencisë që i drejtohet MASHT-it respektohet dhe merren masa, pasi ministria është pro pavarësisë së agjencisë. Sipas tij në ditët në vijim lidhur me vendimet e fundit do të ketë dhe veprime konkrete. /Indeksonline/