E Diel, 1 Nëntor 2026

Oftalmologjia shqiptare merr drejtimin e Shoqatës se Oftalmologëve të Europës Juglindore

Pajtim Lutaj, oftamolog dhe pedagog në UT, zgjidhet president i kësaj shoqate për një vit

Kongresi i 7-të i Shoqatës së Oftalmologëve të Europës Juglindore zhvilloi punimet në Tiranë nga datat 18 deri më 20 qershor 2010. Teknika e re si kirurgjia e Kataraktës me lases femtosecond, operacioni i kataraktës me ultratinguj dhe zëvendësimi me lente multifokale që realizon shikim të mirë pa pasur nevojë për syze pas operacionit; imazheria e retinës për të bërë diagnozën e sëmundjeve të retinës dhe trajtimet e tyre me injektim të medikamentit në sy, si dhe diagnoza dhe trajtimi modern i tumoreve të syrit ishin temat kryesore të këtij kongresi.
Shoqata
Kjo shoqatë, e krijuar në vitin 2004, me iniciativën e disa profesorëve oftalmologë të rajonit, zhvillon aktivitete shkencore të përvitshme në vendet e përfaqësuesve të bordit themelues të kësaj shoqate. Mbas zhvillimit me sukses të 6 kongreseve, respektivisht në Sarajevë, Sofie, Selanik, Novi Sad (Serbi); Dubrovnik dhe Budapest, kjo shoqatë mbylli punimet ditën e diel në Tiranë. Në të njëjtën kohë ky eveniment përbëri kongresin e parë të kulistikës shqiptare me pjesëmarrje ndërkombëtare. Kongresi u organizua nga komiteti organizator lokal në bashkëpunim me bordin drejtues të Shoqatës së Oftalmologëve të Europës Juglindore (South-East European Ophthalmological Society; www.seeos.eu ) dhe komunitetin e oftalmologëve shqiptarë. Ky aktivitet i madh shkencor u mbështet nga Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Salla e madhe e Muzeut Kombëtar mblodhi këtë të shtunë rreth 300 oftalmologët më të mirë të Europës Juglindore. Në këtë aktivitet mbajtën leksione profesorët më të mirë të Europës, ku mund të veçojmë prof. Gilles Renard, nga Parisi, Francë; Profesor Leonidas Zografos, Zvicer; prof. Murat Karacorlu, Turqi dhe profesoresha Martin Jager nga Holanda, që është në të njëjtën kohë dhe president i Shoqatës Botërore për kërkimet Shkencore në Oftalmologji (ARVO= Association for Research in Vision andOphthalmology). Këto pesha të rënda të oftalmologjisë botërore shoqëroheshin nga profesor Andrej Cernak nga Sllovakia, prof. Janos Nemeth nga Hungaria, prof. Sllobodanka Latiniviç nga Serbia, prof. Athanasis Nikolakopoulos nga Greqia, prof. Mahmut Kaskaloglu nga Turqia, prof. Cezare Forlini nga Italia, prof Vladimir Pfiefer nga Sllovenia, prof. Nikica Gabric nga Kroacia, skademik Mustafa Sefic nga Bosnja-Hercegovina dhe shumë të tjerë nga Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Kosova dhe Mali i Zi.
Në ceremoninë e hapjes së këtij kongresi morën pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Gudar Beqiraj; rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Dhori Kuli, ambasadorja e Francës në Shqipëri, zonja Maryse Daviet, këshilltari për kulturën, arsimin dhe bashkëpunimin në Ambasadën e Francës, zoti Raymond Chafford dhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. Alfred Priftanji. Të rejat e fundit nga shkenca e okulistikës u ndoqën me interes të madh nga një numër i madh okulistësh nga vendi dhe të huaj. Ky aktivitet u konsiderua aktiviteti shkencor më i madh në vendin tonë nga pjesëmarrja e mjekëve të huaj, ku numëroheshin 187 mjekë nga të gjitha vendet e botës.
Zgjedhja
Në mbledhjen e Bordit Themelues, Pajtim LUTAJ oftalmolog, profesor i UT-së, u zgjodh president i Shoqatës së Oftalmologëve të Europës Juglindore për një periudhë njëvjeçare. U pranuan në bord përfaqësues të okulistëve të Kosovës dhe të Malit të Zi. Kongresi i 8-të i kësaj shoqate do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Turqi. Në kongresin e parë të oftalmologjisë shqiptare, Qendra Kombëtare e Edukimit të Vazhdueshëm vlerësoi me 25 kredite secilin pjesëmarrës. Një akreditim i brendshëm do të kryhet nga komiteti organizues në bazë të një formulari vlerësues të plotësuar nga secili pjesëmarrës.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›