Kushtetuesja rrëzon qeverinë, iu kthen pronat sindikatave
Laureta Rryçi
Sindikatat do të vazhdojnë të administrojnë pronat e paluajtshme. Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si antikushtetues ligjin më të ri të qeverisë “Berisha” për t’i marrë dhjetëra prona sindikatave në vend. Në këtë mënyrë, Kryeministri Berisha ka humbur betejën e radhës në Kushtetuese duke iu hedhur poshtë i disati ligj. Pas disa muajsh shqyrtim, gjyqtarët e Kushtetues kanë gjykuar se pretendimet e Konfederatës së sindikatave në vend qëndrojnë për rrjedhojë duhet shfuqizuar dhe ligji që u miratua pak kohë më parë. Kundër ligjit të qeverisë ishin pesë sindikata që iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, Sindikata e Pavarur e Transportit të Shqipërisë dhe Sindikata Rajonale Elbasan.
Pretendimi
Sindikatat akuzonin qeverinë se me ligjin e ri që ka miratuar po i heq atyre të drejtën e pronësisë mbi objektet e trashëguara nga Bashkimet Profesionale por dhe të sanksionuara nga një ligj i mëparshëm. Në këtë mënyrë sipas përfaqësuesve të sindikatave, po dëmtohet rëndë dhe lëvizja sindikaliste në Shqipëri. Sipas tyre, në objektet që sindikatat kanë në pronësi, përveç të ardhurave që sigurojnë nga dhënia me qira e tyre kontraktuesve të tretë, ata organizojnë dhe jetën e tyre sindikaliste, seminare, konferenca, kongrese, aftësime profesionale por dhe pushimin e sindikalistëve në periudha të ndryshme të vitit. Në mbrojtje të pronave të tyre të paluajtshme, të gjitha sindikatat e Shqipërisë, të cilat për vite kanë qenë në procese gjyqësore mes tyre, në këtë proces ishin bashkë me një objekt ankimimi të përbashkët. Qeveria, e përfaqësuar nga drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari tha se sindikalistët kanë abuzuar me pronat në kurriz të interesit publik. Ndaj është e nevojshme, sipas saj, që këto pasuri t'i marrë në administrim shteti. Në artikulimin e këtyre akuzave, Xhaferrllari iu referua raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit por dhe informacioneve nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nga ana e tyre sindikatat argumentuan se një pjesë e mirë e pasurive të tyre, u është dhënë me kontratë disa vjeçare palëve të treta, të cilët nga ana e tyre kanë investuar në to miliona euro, ndaj sipas sindikatës dëmi në rast se ato shtetëzohen është i dyfishtë.
Procesi
Katër organizata sindikale kanë paraqitur prej disa javësh një padi për rrëzimin e ligjit të miratuar në Kuvend më 15 tetor. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë dhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kanë bërë padi ndaj Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, ku kërkohet "shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën, i Ligjit Nr. 10159, datë 15.10.2009 "Për shfuqizimin e ligjit Nr. 8340/1, datë 06.05.1998 "Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i Dekretit Nr. 204, datë 05.06.1992 "Për pasurinë e sindikatave"". Në objektin e padisë kërkohet edhe "pezullimi i zbatimit të tij, deri në fund të procesit".
Problemi është komplikuar pasi shumë prej pronave të administruara nga sindikatat, iu kanë kaluar të tretëve, dhe e gjithë kostoja financiare, me ligjin e ri, bie me organizatat sindikaliste. Trupi gjykues pritet të marrë vendimin në ditët në vazhdim, nëse do t'i japë ose jo të drejtë paditësit. Në seancë kanë qenë edhe përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Këshillit të Ministrave, të cilët kanë paraqitur argumentet e tyre në mbrojtje të ligjit të miratuar disa muaj më parë.
Shtetëzimi
Që prej tetorit të vitit të kaluar sindikatat nuk janë më administruese të ligjshme të dhjetëra kampeve, qendrave, shtëpive të pushimit dhe komplekseve të shpërndara nëpër rrethe të ndryshme të vendit. Sipas vendimit të qeverisë, pronat iu hiqen grupimeve sindikaliste, apo të tretëve dhe kalojnë nën administrimin e shtetit. Qeveria vendosi të krijojë një agjenci të posaçme, e cila do të administronte pronat e marra nga sindikatat dhe do t’i përdorte ato për kompensimin e pronarëve të ligjshëm të tokave. Deputetët e mazhorancës kanë argumentuar se pronat sindikatave, ua ka marrë gjykata pasi janë dy vendime; si të Gjykatës së Lartë, ashtu dhe të asaj Kushtetuese që ia kanë hequr të drejtën e pronësisë sindikatave. Po ashtu, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me këtë ligj, u shprehën se sindikatat kanë shkelur ligjin pasi kanë shitur apo dhënë me qira shumë prej pronave, kur ato i kishin ligjërisht vetëm nën administrim. Ndërsa kryeministri Sali Berisha, ka sqaruar kohë më parë se miratimi i këtij ligji synon për të shmangur abuzimet me pasuritë dhe të sigurohet rikonstruksioni i plotë i këtyre ndërtimeve. Madje, janë parashikuar edhe investime në zonat turistike për ngritjen e komplekseve, të cilat do të ofrohen në firmë koncesionesh për kompani shqiptare apo të huaja.
Protesta para se ligji të kalonte për miratim
Që kur nisi përgatitja e projektligjit, grupimet sindikaliste e kundërshtuan draftin. Duke përfituar nga përçarja e organizatave, reagimet erdhën të vonuara. Por, në momentet kur po miratohej drafti i qeverisë, pati disa protesta dhe mesazhe në drejtim të institucioneve shqiptare dhe të huaja për bllokimin e projektligjit. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura e konsideroi nismën e qeverisë si një dhunim të lëvizjes sindikale në Shqipëri. Ai zhvilloi disa takime me përfaqësues të Komisionit Europian në Tiranë dhe të Zyrës së OSBE-së. Ditën e kalimit në votim të draftit, u zhvillua një protestë edhe para Kuvendit. Sindikalistët dështuan edhe në kërkesën e tyre drejtuar presidentit Topi për mos-dekretimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, përfaqësuesit e sindikatave iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese duke e fituar një herë e mirë këtë betejë me qeverinë.
Antikushtetutshmëria e ligjit të Qeverisë
Ligji 10159 cenon në mënyrë arbitrare të drejtën e lirisë sindikale
Duke privuar pronat e sindikatave, cenohet haptazi autonomia ekonomike e tyre
Ligji lejon ndërhyrjen e autoriteteve në vetë ekzistencën e lirisë sindikale, pasi duke shpronësuar pronat e tyre, bëhet i pamundur funksionimi i saj
Përkundrazi, shteti ka detyrimin pozitiv të garantojë edhe ekonomikisht veprimtarinë sindikale
Shpronësimi pa dobi publike, që pamundëson funksionimin e sindikatave, përbën thelbin e pa kushtetutshmërisë së ligjit
Ligji duhet të balanconte interesat e sindikatave me ato të ish pronarëve
Ligji 10159 ka probleme me cilësinë e tij. Nuk përcaktohet qartë nëse "shfuqizohet" administrimi i pronës së sindikatave, apo "shfuqizohet" e drejta e pronësisë së tyre.
22 Qershor 2010