Ohio, parandalohet masakra e radhës në një kinema
Një 37-vjeçar ndalohet duke hyrë në kinema me një çantë me armë. Një mesazh në Twitter vë në alarm policinë e New York
Parandalohet në kohë një masakër e mundshme në një kinema ku do të shfaqej filmi i fundit i sagës së Batman. Një agjent jashtë shërbimit ka arrestuar një person, teksa po hynte në kinemanë e Westlake në Ohio me një çantë plot me armë. Ngjarja ka ndodhur të shtunën, por është publikuar vetëm ditën e sotme. I dyshuari, Scott Smith, 37 vjeç kishte me vete një pistoletë Glock 9 mm (një nga armët e përdorura në 20 korrik nga James Holmes, i cili vrau 12 persona dhe plagosi 58 persona në premierën e Batman), dy karikatorë dhe tre thika. Në momentin e arrestimit Smith ishte i vetmi person në sallën e kinemasë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti një numër të konsiderueshëm armësh dhe municionesh.
Paralajmërimi për masakrën e radhës është bërë në rrjetin social Twitter. Kjo nuk është shaka, e kam seriozisht, njerëzit do të vdesin si në Aurora. Mesazhi në Twitter ka shkaktuar panik dhe ka vënë në alarm agjentët e policisë së New York. Sipas së përditshmes New York Post, mesazhi ishte shkruar nga një përdorues anonim i adresës së microblogging. Mesazhi ishte shkruar mbrëmjen e së premtes dhe kërcënonte kryerjen e një masakre në teatrin e Broadway ku po shfaqet spektakli i Mike Tyson Undisputed Truth, duke ndjekur gjurmët e James Holmes, autorit të masakrës së Aurora, në Kolorado, gjatë premierës së Batman.
Hetuesit nisën menjëherë nga puna duke i kërkuar urgjentisht Twitter të zbulonte identitetin e autorit, ndërkohë që disa skuadra policësh u vendosën në teatrin Broadway.
8 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Ohio, parandalohet masakra e radhës në një kinema burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip