E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa në Kroaci: Bashkëpunimi, faktor stabiliteti në Rajon

Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa zhvilloi një vizitë pune në Kroaci, ku gjatë takimit me homologun e tij kroat Branko Vukeliç, deklaroi se bashkëpunimi mes të gjitha vendeve të rajonit shërben si faktor stabiliteti për rajon. 

KROACI- Bashkëpunimi me vendet e “A3” përbën një shembull për të gjithë vendet e rajonit dhe niveli aktual i marrdhënieve politike mes këtyre vendeve përbën një bazë të mirë për zgjerimin e mëtejshëm në të gjithë fushat. Kështu theksuan në një takim të përbashkët mes tyre ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa dhe homologu i tij kroat Branko Vukeliç, gjatë një takimi të zhvilluar mes tyre në Kroaci.
Oketa falënderoi gjithashtu presidentin kroat Stipe Mesiç, për qëndrimin e Kroacisë përkundrejt çështjes së Kosovës dhe njohjes së pavarësisë së saj. Në Ministrinë e Mbrojtjes kroate, ministri Oketa së bashku me delegacionin e tij, u prit në një ceremoni zyrtare pas së cilës u zhvilluan edhe bisedimet dy paleshe mes dy delegacioneve. Vukeliç garantoi Oketën se bashkëpunimi mes dy vendeve do të thellohet më tepër pas hyrjes së plotë të tyre në NATO. Oketa dhe Vukeliç vunë një bilanc të reformave në fushën e mbrojtjes, por dhe në kuadër të marrëdhënieve mes vendeve të “A3”.
Dy ministrat rikonfirmuan dëshirën dhe vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin.

“Shqipëria dhe Kroacia duhet të japin eksperiencat e tyre edhe për vendet e tjera të rajonit që duhet ti bashkohen këtyre iniciativave”, tha ministri ynë i Mbrojtjes.

Shqipëria mbështet zgjerimin e kartës së Adriatikut nga A3 në A5 dhe kjo është një mbështetje që nuk ka mbetur vetëm në nivele deklarative, por janë bërë hapa dhe në bisedime konkrete.
Oketa siguroi edhe njëherë qëndrimin e qeverisë shqiptare se e ardhmja e vendeve të rajonit është integrimi në strukturat e NATO-s dhe BE-së . Të gjitha vendet e rajonit siç u shpreh ai të punonin si një ekip i tërë që do të bënte të mundur integrimin.
(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›