Oketa sqaron votën kundër: Ndryshimet në kod janë teknike

Kreu i grupit nismëtar të FRD-së Gazmend Oketa ka sqaruar votën e tij kundër ndryshimeve në kodin elektoral. Në një prononcim për mediat, Oketa theksoi se ky kod nuk garanton barazi të votës. “Nuk bëhet fjalë për një kod të ri por për disa korrigjime teknike që nuk prekin thelbin prandaj edhe vota ime ishte kundër. Duhet që në 2013 forcat politike duhet të krijonin një reformë në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve pasi kjo gjë nuk duhet të ishte më pronë e partive politike. Jemi një vend ku vetë lojtarët që luajnë në fushë bëjnë edhe albitrin” shtoi ai.
Ai ka theksuar se nëse ekziston vullneti politik atëherë ka hapësira që në sesionin e ardhshëm të bëhet një korrektim kombëtar që votat të numërohen si duhen. “Ajo çka besoj që duhet ndryshuar është sistemi i listave. Duhet të jenë lista të hapura pasi deri më tani ka qënë një proces emërimi pasi është kreu i partisë ai që i bën emërimet. Një reformë do të ishte e plotë nëse do të ksihte lista të hapura dhe sistem të korrektuar” shtoi më tej Oketa. Gjithashtu Oketa, mohoi që të ketë një koalicion në zgjedhjet e ardhshme mes FRD-së dhe Partisë Socialiste.
Kreu i grupit të LSI-së Lefter Koka ka sqaruar abstenimin e tre deputetëve të kësaj force politike më votimin e ndryshimeve në kodin elektoral. Në një linjë telefonike për “Ora News”, Koka theksoi ne reformën zgjedhore nuk u realizua përfaqësimi i të gjitha forcave politike në vend.
“Ne kemi kërkuar të bëhemi pjeë aktive e zgjidhjes së problemit por LSI-ja përfaqëohet në parlament vetë me 4 anëtarë dhe ne nuk mund të imponojmë. PD-PS gjetën këtë zgjidhje dhe nuk dolën dot jashtë interesave të tyre politike. Uroj që kjo mos të japë impakt në jetën poltike. Mendoj se votimi elektronik nuk do të sjellë ndryshime rrënjësore në zgjedhje” shtoi Koka. Ai ka theksuar se abstenimi i kësaj force politike në Kuvend për reformën zgjedhore nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes koalicionit.