E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria, rol të rëndësishëm në rajon, si edhe në luftën kundër terrorizmit”

19-07-2012 / Gazeta 55

Ministrat Noka e Panariti takojnë ambasadorin Arvizu
 
Dy ministrat e rinj të i Brendshëm Flamur Noka dhe ai i Jashtëm Edmond Panariti takuan dje ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.
Ministri Noka vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer të strukturave të Ministrisë së Brendshme me strukturat homologe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si edhe ndihmën e çmuar që ekspertët e ShBA-së kanë dhënë në të gjithë sektorët e Ministrisë së Brendshme. “Ekspertiza, logjistika dhe trajnimet e ofruara nga ana juaj (programeve ICITAP dhe EXBS) në të gjithë sektorët e Policisë së Shtetit, kanë qenë një ndihmë thelbësore në modernizimin e tyre, por edhe në rritjen e profesionalizmit. Një polici profesioniste është garant në luftën kundër krimit të çdo lloji”, theksoi Ministri Noka.
Nga ana e tij Ambasadori Arvizu, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm me Ministrinë e Brendshme dhe të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Arvizu ka nënvizuar edhe bashkëpunimin e ngushtë që ambasada e ShBA-ve dhe USAID kanë pasur në nivel të qeverisjes vendore, si me departamentin respektiv në Ministrinë e Brendshme, por edhe me njësi vendore të ndryshme.
Ndërsa më herët ambasadori Arvizu u prit në një takim kortezie nga ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, i cili vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve si dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA në mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në planin dypalësh ashtu edhe në bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare. Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, Ministri Panariti theksoi rëndësinë e madhe që paraqet për vendin tonë rritja e prezencës së investimeve amerikane, duke vënë në dukje faktin se tashmë Shqipëria nuk paraqitet thjesht si një treg i vogël, por si pjesë e një tregu rajonal të integruar.
Nga ana e tij, Ambasadori Arvizu uroi Ministrin e Punëve të Jashtme Panariti për marrjen e detyrës dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Shqipërisë. Ai vlerësoi maksimalisht politikën dhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, si dhe, në mënyrë të veçantë, rolin dhe mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe zhvillimet globale. Ambasadori Arvizu shprehu dakordësinë për rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe premtoi vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për nxitjen dhe rritjen e prezencës së investimeve amerikane në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›