E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Dy anët e medaljes së turpit

19-07-2012 / Gazeta 55

Në mungesë të medias, anëtarët e Partisë Socialiste të komisionit të Sigurisë Kombëtare kanë vlerësuar ecurinë e reformave të planit të përhapjes së Forcave të Armatosura. Por në praninë e medias janë shfaqur sërish “dyshues”, “akuzues”, “thumbues” ndaj ministrit të Mbrojtjes, duke demonstruar një sjellje krejt të ndryshme. Ndonëse kjo mund të shpjegohet me rolin që iu është dashur të luajnë përgjatë fushatës së akuzave të pabaza të Edi Ramës, i cili në mungesë të provave apo fakteve shton dozën e trillimeve me skenar spiunazhi. Synimi është pështjellimi. Në fakt, Ilir Gjoni, nënkryetar i Komisionit të Sigurisë mësohet se i ka shprehur mbështetjen për reforma të mëtejshme ministrit të Mbrojtjes. Por përpara mediave ai është shprehur se opozita arriti të imponojë kërkesën e saj për kontroll në ministrinë e Mbrojtjes duke shtuar se vërehet një tërheqje për të shmangur kontrollin.
 Kuptohet vetiu, pas dy orë raportim me dyer të mbylluara në komision e Sigurisë, e vërteta qëndron se Shqipëria nuk bën “trafik armësh”, por ka një tregti të ligjshme armësh dhe municionesh, e cila për nga eksporti është një ndër vendet me rendiment më të ulët në kontinent, pasi eksporton municione të tepërta dhe nuk ka indrustri ushtarake siç kanë shumë vende të rajonit apo BE-së. Ndërsa për akuzat se ka përgjime ndaj opozitës parlamentare apo përfaqësive të huaja në vend janë paranoja të një kulture totalitare. Apo siç e tha dhe ministri i Mbrojtjes, Imami: “Nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës që të përgjohen diplomatët e vendeve të perëndimit”. Kjo kulturë totalitare shpjegon dhe aparatet kundër përgjimeve të vendosura në Partinë Socialiste, e cila kur është e aktivizuar nuk lejon valët e aparateve celularë të marrin apo dalin thirrje.
Megjithatë, për lajmin se janë blerë aparatura përgjuese nga shërbimi informativ ushtarak, kjo është brenda normave ligjore të shtetit shqiptar dhe detyrimeve që kemi në Aleancën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Të gjitha asetet e forcave të sigurisë janë të certifikuara prej standardeve të NATO-s, e cila kur bëhet fjalë për çështje sigurie është tejet e vëmendshme. Natyrisht, ky fakt i lejon opozitës së papërgjegjshme në çështjet e sigurisë Kombëtare të spekulojë haptazi duke helmuar ambientin publik me dyshime dhe paranoja, a thua se është rikthyer Sigurimi famëkeq i shtetit.
Sidoqoftë bipolarizimi i deputetëve të partisë Socialiste është pasojë e një presioni të ushtruar prej Ramës për t’i nxjerrë anëtarët e komisionit të Sigurisë  si zhurmues të reformave. Kjo sjellje afër skizofrenisë publike shfaqet dukshëm në opozitë sa herë Rama gjenden në një hall. Dhe halli i Ramës i këtyre ditëve është frika e heqjes së imunitetit.      
Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›