E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olga Kurylenko:James Bond më ndryshoi jetën

Kur një natë para Krishtlindjeve i thanë se do të ishte protagonistja e re "Bond" në serinë e fundit të "007, Quantum of Solace" përkrah Daniel Craig, Olga Kurylenko nuk e besonte ende. Në fakt, regjisori Marc Forster kishte zgjedhur pikërisht atë për rolin e Kamilës. Motivi? Gjatë provimit, ndryshe nga 400 aktoret e tjera, kishte qenë jashtëzakonisht e qetë. "Faktikisht po vdisja nga frika, por që e vogël mësova të shtrëngoj dhëmbët dhe të eci përpara", tregon ajo, duke lëvizur ngadalë duart. Përveçse e shëndetshme, kjo vajzë 29-vjeçare me sy jeshil është edhe e bukur. Që në vogëli ka mësuar të punojë shumë dhe t‘i përballojë e vetme të gjitha vështirësitë që i dalin përpara.

"Kam lindur në Berdyansk, Ukrainë. Në atë kohë regjimi komunist nuk kishte marrë ende fund. Familja ime ishte shumë e varfër, por unë nuk hoqa kurrë dorë nga studimet. Çdo ditë frekuentoja leksionet e artit, aktrimit, kërcimit dhe pianos. Nuk mungoja asnjëherë. Isha e vetëdijshme se nëse doja t‘i shpëtoja varfërisë duhej të studioja seriozisht".

Më pas, në moshën 13-vjeçare, Olgës i trokiti fati në derë. "Ndodhesha në Moskë dhe po prisja metronë së bashku me nënën. Një zbulues talentesh m‘u afrua dhe më tha nëse kisha menduar ndonjëherë të bëhesha modele". Që nga ai moment Olga filloi karrierën e saj në modë. Për gjashtë muaj mësoi frëngjishten dhe u transferua në Paris. Në moshën 18-vjeçare u shfaq në kopertinën e revistës "Vogue", ku sfilonte për stilistë të famshëm, mes tyre "Roberto Cavalli" dhe "Kenzo".

Më në fund nuk i duhej më të numëronte paratë ose të sajonte fustanet siç bënte kur ishte e vogël. Vitet kalonin, e burrat gjithashtu (është martuar dhe ndarë dy herë, herën e parë u martua me fotografin Cedric Van Mol, që ishte nëntë vjet më i madh se ajo, dhe të dytën me biznesmenin Demian Gabriel Neufeld). I duhej të sajonte diçka për të qenë në qendër të vëmendjes. Kështu Olga nuk harxhoi kohë, por trokiti në portën e një agjencie për aktorë. Aty regjisori Diane Bertrand i besoi rolin e Iris, që do të ishte edhe filmi i saj i parë në 2005-ën. Për të marrë këtë rol, Olga nuk hezitoi të xhironte edhe disa skena nudo. Më pas, në 2007-ën Hollivudi i ofron një rol në filmin "Hitman", i marrë nga një videolojë, ku ajo interpreton përkrah Timothy Olyphant e Dougray Scott dhe kishte rolin e një prostitute ruse. Edhe këtu iu desh të zhvishej, por më në fund produksionet e mëdha ndërkombëtare e vënë re. Kështu erdhi momenti për të interpretuar një prej roleve më të dëshiruara nga aktoret e të gjithë botës, ajo e partnerit të agjentit 007, ku kanë luajtur mjaft aktore bukuroshe, si biondja zvicerane Ursula Andress, apo brunet italiane si Maria Grazia Cucinotta dhe Caterina Murino.

Duke drekuar me Zonjën e Parë

Për t‘u bërë një vajzë Bond perfekte, nuk mjafton vetëm ëmbëlsia, nevojiten shumë vite studim, përgatitje dhe një trup i bukur. "Fillimisht kam bërë disa orë mësim spanjisht, duke qenë se më besuan rolin e Kamilës. Personazhi im duhej të kishte një theks amerikano-jugor. Unë që nuk kam pasur kurrë probleme me trupin, bëra disa muaj palestër që të tonifikohesha", tregon Olga. "Para se të fillonin xhirimet, bëra një muaj prova me një profesionist: në pak ditë mësova të mbaj në dorë një pistoletë, të hidhesha si një karateriste, të luftoja dhe t‘i jepja makinës në mënyrë spektakolare. Bëja shumë palestër për të rritur muskujt. Në pak ditë trupi im u mbush. Kishte disa skena si ajo e ndjekjes me motoskaf, që nuk e kisha imagjinuar kurrë se mund t‘i interpretoja. Isha e bindur se do të përfundoja në ujë, duke parë edhe shpejtësinë e madhe me të cilën po lundronim, por falë gjithë këtij trajnimi, më në fund ia dola mbanë. Pra, mposhta të gjitha fobitë dhe i kalova limitet e mia. Jam e lumtur për hapat përpara që kam bërë".

Olga Kurylenko është shumë krenare, sepse ka takuar Zonjën e Parë Kateryna Yushchenko, e cila e ftoi në Ukrainë me rastin e shfaqjes së filmit "Quantum of Solace": "Nuk prisja kaq shumë respekt. Ishte shumë e ëmbël. E takova së bashku me mamanë time. Kisha vite që nuk isha kthyer në shtëpi. Kam shumë nostalgji për atë vend, por tani jeta ime është në Paris. Jam një njeri që shoh vetëm përpara". Duket se kjo filozofi jete e ka ndihmuar shumë: "Pas filmit ‘Quantum of Solace‘ kam qenë shumë e kërkuar nga regjisorë të ndryshëm; më kanë ofruar edhe katër filma të tjerë, prej të cilëve dy janë të sigurt. Momentalisht po bëj disa xhirime në Angli për filmin ‘Centurion‘, ku luaj rolin e një luftëtareje të egër në epokën e pushtimeve romake. Mund të them se edhe në këtë rol kam pasur vështirësi. Ndërsa në verë duhet të shkoj në Australi, ku do të interpretoj në filmin ‘The Cross‘, përkrah Orlando Bloom dhe Vincent Cassel".

Po pak kohë për të gjetur burrin e tretë nuk ju mbetet?

"Për momentin jam mirë vetëm, por të jeni të bindur se nuk e lë pas dore këtë fakt. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët". Ndoshta Olga ndjek këshillën e Sean Connery që ka thënë para pak vitesh: "Në jetë kurrë mos thuaj kurrë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›