E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpiada e “mallkuar” për Brazilin

LONDER - Në finalen e Uemblit, duhet të ishte hera e duhur që Brazili olimpik të fillonte të ecte vetë, por Selesao sërish nuk arrin dot arin në Olimpiadë pa mundur të thyejë mallkimin e fitimit të këtij turneu pavarësisht se në futbollin botëror kryeson me pesë tituj të fituar. Meksika është ajo që ngjitet në podin më të lartë falë një suksesi 2-1, duke u shfaqur shumë më skuadër se Selesao që vazhdon të shfaqë defekte e përhershme të epokës Menezes, si një formacion që mbështetet te individët pa pasur një skemë të qartë loje.

Në finale individët e Brazilit nuk i bëjnë punë, pasi pikësëpari e tradhtojnë që në minutën e 1-rë kur Rafael i jep asist Peraltas për golin e avantazhit të Meksikës. Teknikisht amerikano-qëndrorët nuk qëndrojnë më lartë se brazilianët, por janë më të ogranizuar ndërsa brazilianët duket se mbështeten më shumë te rastësia, që për më tepër prodhon dhe pak raste. Në pjesën e dytë brazilianët shtojnë ritmin por lënë shumë hapësira mbrapa pasojë e faktit që sulmuesit nuk kthehen për asnjë moment dhe rastet më të mira duket se i kanë meksikanët, që shënojnë dhe golin e dytë sërish me Peraltan në minutën e 75-të.

Selesao hidhet si e tërbuar përpara, por në të tilla raste duhet më shumë kthjelltësi dhe për pasojë goli vjen vetëm në minutën 90-të me Hulk. Brazili duket se më në fund arrin të përmbysë ndeshjen, por vetëm tre metra nga porta Oskar flak tej shansin e artë. Barazimi do të ishte i tepërt ndaj një Meksike që dominoi dhe që më të drejtë var në qafë arin. Mallkimi vazhdon për Brazilin, ndërsa për Menezes parashikohen 48 orë të vështira. 

(er.nu/supersport/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›