Olimpiada - dita e 14

Do të jetë sërish SHBA-Spanjë finalja e turneut olimpik të basketbollit të meshkujve. Një përsëritje e finales së 4 viteve më parë në Pekin, me spanjollët që kaluan jo pa vështirësi Rusinë dhe me Amerikën që nuk pati asnjë problem ndaj Argjentinës.
Spanja nuk e nisi mirë ndeshjen duke qenë në ndjekje të rusëve në pjesën më të madhe të kohës, por në fund të pjesës së tretë iberikët barazuan dhe e fituan ndeshjen me rezultatin 67-59.
Skuadra amerikane ia doli të fitonte çdo periodë të takimit ndaj argjentinasve duke e rritur epërsinë minutë pas minute. Në përfundim të gjysmës së ndeshjes, SHBA ishte 7 pikë përpara, ndërsa mbyllja ishte tek shifrat 109-83.
Në volejboll për meshkuj, finalja do të jetë Rusi-Brazil. Skuadra ruse fitoi 3-1 ndaj Bullgarisë duke humbur vetëm setin e tretë, ndërsa bullgarët nuk arritën të tregonin nivelin që kishin pasur deri në çerekfinale.
Brazilianët nuk humbën asnjë set përballë Italisë, duke i dhënë të kaltërve një leksion volejbolli dhe fitorja erdhi pas 1 ore e 20 minutash lojë. Sidomos lehtë u fitua seti i dytë, me rezultatin 25-12.
Në hendboll për meshkuj, në finale do të jenë Suedia dhe Franca. Nordikët kaluan rezistencën e Hungarisë pas një ndeshjeje tepër të fortë, duke mbajtur gjatë gjithë kohës një epërsi të ngushtë, por që mjaftoi. Suedia fitoi me rezultatin 27-26.
Në gjysmëfinalen tjetër, Franca fitoi 25-22 ndaj Kroacisë. Kampionët olimpikë do të kenë mundësi të mbrojnë titullin, ndërsa përballja me kroatët ishte e ashpër. Blutë fituan pjesën e parë 12-10 dhe krejt ndeshjen me 3 gola diferencë.
Në vaterpol për meshkuj, për titullin olimpik do të luajnë Kroacia dhe Italia. Kroatët fituan derbin ish-jugosllav me Malin e zi, me rezultatin 7-5, ndërsa italianët ia dolën të fitonin ndaj Serbisë, 9-7.
Në çiklizëm BMX për femra, kampione olimpike doli Mariana Pahon e Kolumbisë, që la prapa australianen Sara Ualker, ndërsa medaljen e bronzit e fitoi Laura Smulders e Holandës.
Po në këtë disiplinë, për meshkuj, fitoi Maris Strombergs i Letonisë. Nënkampioni erdhi sërish nga Australia, Sam Uillogbi, ndërsa vendi i tretë u zu nga Zabala i Kolumbisë.
Në varka me vela, ekipore meshkuj fitoi Australia që mundi Britaninë e Madhe dhe Argjentinën e cila doli e treta. Në varka me vela ekipore për femra, fituese doli Zelanda e Re, Britania e Madhe sërish doli e dyta, ndërsa Holanda mori medaljen e bronzit.
Në maratonën e notit për meshkuj, të gjatë 10 km, fitoi tuniziani Usama Meluli, i cili doli më i fortë sesa gjermani Tomas Lurc dhe se kanadezi Riçards Vajnberger.
Në not të sinkronizuar, Rusia respektoi parashikimet duke fituar medaljen e arit, përpara Kinës që fitoi argjendin dhe Spanjës që doli e treta.
Në futboll, Koreja e Jugut fitoi medaljen e bronzit duke mundur në finalen e vogël Japoninë 2-0. Golat u shënuan nga Park në 38’ dhe Ko në 57’.
Në hokej për femra, medalja e artë u fitua nga Holanda që mundi 2-0 Argjentinën në finale. Vendin e tretë dhe bronzin e fituan britaniket që mundën 3-1 Zelandën e Re.
Në mundje të lirë deri në 55 kg për meshkuj kampion doli rusi Otarsultanov që fitoi ndaj gjeorgjanit Hinçegashvili. Medalje bronzi fituan Jang i Koresë së Veriut dhe Jumoto i Japonisë. Në mundje të lirë deri 74 kg po për meshkuj, medaljen e artë e mori Barrous i SHBA, ndërsa nënkampion doli iraniani Gudarzi. Medalje bronzi fituan Tigijev i Uzbekistanit dhe Cargush i Rusisë.
Në taekuondo u dhanë dy medalje ari. Në peshën deri 67 kg për femra fitoi Huang e Koresë së Jugut. Në vend të dytë doli turkja Tatar, ndërsa bronz fituan From e Gjermanisë dhëe Mekferson e SHBA.
Në peshën deri 80 kg për meshkuj, kampiondoli argjentinasi Krismaniç që fitoi ngushtë ndaj spanjollit Garsia Heme. Medalje bronzi fituan Muhamad i Britanisë së Madhe dhe Sarmiento i Italisë.