Kombetarja gati per Moldavine

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi ka publikuar listën zyrtare me 21 futbollistët që do të ketë në dispozicion për miqësoren me Moldavinë.
Në portë konfirmohen Samir Ujkani dhe Etrit Berisha, në atë që pritet të jetë konkurrenca më e madhe e viteve të fundit për një vend titullari mes shtyllave.
Mbrojtja është reparti ku vazhdojnë eksperimentet. Pas dëmtimeve të Kristi Vangjelit dhe Debatik Currit, drejtuesi i stolit kuqezi kërkon alternativa të vlefshme. Ai ka zgjedhur që të lejë jashtë skuadrës kapitenin e Flamurtarit, Franc Veliu, ndërsa ka grumbulluar mbrojtësin Erion Dushku të Tiranës dhe Renato Arapi të Skënderbeut.
Ndërkohë, titullarët në repartin difensiv janë kapiteni Lorik Cana, Armend Dallku, Mërgim Mavraj dhe Andi Lila. Një emër të ri ka edhe në mesfushë. Përveç të konfirmuarve Bulku, Agolli, Roshi, Zeqiri, Hyka, Vila e Lilaj, në skuadër është rikthyer edhe Ledjon Memushaj, që së fundmi është transferuar te Leçe, ndërsa Erion Vucaj ka marrë thirrjen e parë pasi shkëlqeu në Champions me Skënderbeun.
Edhe në sulm ka shumë konkurrencë për fanellat e titullarëve. Përveç veteranit Bogdani dhe të rikthyerit Hamdi Salihi, në këtë repart janë grumbulluar edhe Edgar Çani dhe Elis Bakaj, të cilët garantojnë kualitet dhe gola.
Miqësorja e Shqipërisë me Moldavinë do të zhvillohet të mërkurën, më 15 gusht. Kuqezinjtë paraqiten në këtë sfidë pas dy fitoreve në takimet e fundit përgatitore me Katarin dhe Iranin, ndërsa ky është testi i fundit përpara startit të kualifikueseve të Botërorit 2014, ku Shqipëria debuton më 7 shtator ndaj Qipros në shtëpi.