E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi, Artur Shehut: Në gropën që hape re brenda vetë

Edmond Hoxhaj

Qarku i Fierit

Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së, që i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka nisur të kthehet në një faktor në përmbysjen e rendit të deritanishëm edhe në Këshillin e Qarkut Fier, që u fut në një ngërç gati dyvjeçar nga vetë LSI-ja. Pas vendimit për bashkimin e këshilltarëve të PS-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të Durrësit e Korçës, pritet që në këshillat e njësive vendore të Qarkut Fier të konfirmohet kalimi i anëtarëve të LSI-së në grupimin e udhëhequr nga Partia Socialiste. Kreu i PS-së për qytetin e Fierit, Andjus Olldashi, ka pohuar dje për gazetën Shqip, se bashkimi i së majtës do të sillte si pasojë ndryshimin e maskaradës që është bërë në Qarkun e Fierit. I bëj thirrje z.Artur Shehu, që të largohet nga detyra që mban të uzurpuar dhe në mënyrë të paligjshme prej një viti e gjysmë dhe të lejojë të zbatohet vullneti i popullit. I bëj me dije zotit Shehu, se në atë gropën që hapi tashmë ka rënë vetë. Ne shpresojmë që tashmë Artur Shehu e ka kuptuar se e ka humbur edhe mazhorancën e paligjshme që pretendonte se kishte, pasi mazhorancën e vërtetë nuk e ka pasur kurrë. Tashmë, edhe me listën e tij të këshilltarëve, Artur Shehu nuk mund të mbledhë më shumë se 43 këshilltarë, kur kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjeve është 49. Kurse të majtët, po me listën e hartuar nga z.Shehu, arrijnë të kenë në sallë 52 këshilltarë. Ndërsa me listën e këshilltarëve të ligjshëm të 21 shtatorit 2011, e majta zotëron në këshillin e qarkut 60 anëtarë, nga 96 që janë gjithsej, theksoi Olldashi, i cili shtoi se nëse Shehu nuk do të ndjekë rrugën ligjore, do të përballet me ligjin.

EDMOND HOXHAJ

Olldashi, Artur Shehut: Në gropën që hape re brenda vetë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›