E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha aktivizon PPE për amortizimin e kritikave të forta nga SHBA e BE

Fatjona Mejdini

Martens mbështet qëndrimin e PD për KQZ dhe sulmon Ramën për bojkot

Podesta - Në një kohë kur opozita në vend ka nisur ankimimin për sa i përket rolit të Podestës, kompania amerikane vijon e qetë lobimin për llogari të qeverisë dhe PD.

Fatjona Mejdini

President MartensPartia Demokratike po aktivizon mbështetjen e saj ndërkombëtare në kushtet kur të gjithë aktorët rilevantë kanë shprehur kundërshtime ndaj veprimit të fundit të kësaj partie për sa i përket lëvizjes me forcën e kartonëve të një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu, dje lobimit të kompanisë amerikane të konsulencës, Podesta për të justifikuar te ndërkombëtarët këtë veprim, i erdhi në ndihmë një deklaratë e Partive Popullore Europiane, ku bën pjesë dhe PD e Kryeministrit Berisha. Presidenti i këtij grupi që ka shumicën dhe në Parlamentin Europian, Wilfried Martens, përmes një deklarate në emër të grupit e konsideron si të duhur veprimin e marrë nga PD për të zëvendësuar anëtarin e KQZ-së. Por me sa duket PD nuk ka ndërmend ta lërë mësymjen e saj ndërkombëtare vetëm në stadin e deklaratave, por dhe në atë të vëzhgimit të zgjedhjeve. Kështu, dje, Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht nënkryetarja Jozefina Topalli, përgjatë një takimi me raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ka kërkuar që për zgjedhjet në vend përveç trupave tradicionalë të ODIHR-it dhe Këshillit të Europës, të vijnë dhe ata të Asamblesë së OSBE-së. Ky institucion është i drejtuar aktualisht nga deputeti italian, Ricardo Migliori, anëtar i partisë Populli i Lirisë që drejtohet nga Silvio Berlusconi, aleat i Kryeministrit Berisha.

PPE

Grupi më i madh europian i partive doli dje në mbrojtje të Kryeministrit Berisha për sa u përket ndryshimeve të anëtarëve të KQZ-së përmes forcës së shumicës parlamentare. Në këtë deklaratë theksohet se pas largimit të LSI-së nga qeveria, mundësia për të bërë dhe ndryshime në KQZ është legjitime. Çdo përpjekje për të modifikuar formulën e dakordësuar, katër anëtarë nga mazhoranca dhe tri nga opozita, është një përpjekje për të destabilizuar të gjithë sistemin zgjedhor vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve, thekson Martinez në emër të PPE-ve. Në deklaratën e tij, shkohet më tutje kur theksohet fakti se dorëheqja e anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste në KQZ është e papranueshme në këtë moment. Në mënyrë të qartë Martinez është shprehur në deklaratën e djeshme se PEE mbështet Kryeministrin Berisha në nismat e tij për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend. Theksojmë se PPE mbështesin Kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike dhe besojmë se zgjedhjet e 23 qershorit do të shënojnë një hap vendimtar të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, mbyll deklaratën kreu i grupit të PPE-ve.

Vëzhguesit

PD kërkon që në zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit një rol të rëndësishëm të luajnë dhe të dërguarit e Asamblesë së OSBE-së. Këtë e bëri të qartë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi që zhvilloi për zgjedhjet me raporterët e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë nuk bëhet pa qëllim për shkak të faktit se në krye të saj qëndron deputeti italian, Ricardo Migliori, anëtar i partisë Populli i Lirisë që drejtohet nga Silvio Berlusconi, i njohur për marrëdhëniet e tij miqësore me Kryeministrin Berisha.

Përgjigjja

Rama: Saliu i PPE nuk e njeh ligjin tonë

Kreu i opozitës, Edi Rama, reagoi dje menjëherë pas deklaratës së Partive Popullore Europiane në mbështetje të Kryeministrit Berisha. Ai ironizoi pikërisht kreun e grupit të PPE-ve, Martinez, duke e quajtur atë si Saliun e PD-së. Saliu i PPE flet për KQZ si të ishte vegël e partive! Por ligji flet ndryshe. SHBA e BE po ashtu. Saliu i PPE se shpëton dot Saliun e PD, deklaroi Rama. Kreu i PS-së ka deklaruar ditët e fundit se nisma e PD-së për të zëvendësuar anëtarin e KQZ është kundërshtuar fort nga ndërkombëtarët dhe në takime formale dhe informale që ai ka zhvilluar me ta. Këtë e kanë pohuar dhe vetë ambasadorët gjatë prononcimeve për mediat.

Berisha aktivizon PPE për amortizimin e kritikave të forta nga SHBA e BE burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›