Olldashi: Bamir Topi nuk na rrëzon dot nga pushteti
Zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Konsensual apo nga mazhoranca? Kush janë emrat më të përfolur nga radhët e mazhorancës për këtë post? Përballimi i situatës së emergjencës së shkaktuar nga dëbora e dendur, largimi i Oketës nga mazhoranca, zgjedhjet e ardhshme, investimet në infrastrukturë, ishin temat kryesore të trajtuara në Top Story, emisionin e përjavshëm të drejtuar nga Sokol Balla.
Një ndër personazhet qëndorë të mazhorancës në shtatë vitet e fundit, Ministri i Transporteve, Sokol Balla, ishte ai që foli për të gjithë çështjet e aktualitetit, duke iu përgjigjur pyetjeve të një paneli të zgjedhur analistësh, si kryeredaktorja e Shqiptarja.com, Anila Basha, kryeredaktori i gazetës Shqip, Aleksandër Çipa, kryeredaktori i gazetës Panorama, Albert Rakipllari dhe kryeredaktori i gazetës MAPO, Arjon Sula.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, Olldashi ripërsëriti qendrimin e bërë publik edhe nga kryeministri Berisha, se presidenti ardhshëm do të dalë nga radhët e mazhorancës, e me shumë gjasa nga kryesia e Partisë Demokratike: Presidenti do të dalë nga mazhoranca. Nuk është vendosur akoma por do të jetë me një opinion politik të shëndoshë nga mazhoranca. Ka një konsensus politik i 2008 që është në fuqi dhe është formësuar në nenet kushtetuese të vendit. Klasa politike duhet të respektojë ligjin, ne jemi të obliguar të respektojmë ligjin. Kushtetuta e vendit e ka të përcaktuar se si zgjidhet presidenti. Presidenti i përket mazhorancës, se mori votën popullore në 2009 dhe u rikonfirmua në 2011.
Lidhur me qendrimet e ndërkombëtarëve për një president konsensual dhe për emrat e përfolur nga drejtuesit e lartë të PD-së, ministri Sokol Olldashi u shpreh: Faktori ndërkombëtar ka thënë që zgjidhja duhet të jetë brenda kuadrit kushtetues. Konsensusi nuk është domosdoshmëri që ne të pranojmë kandidaturën e PS. Mazhoranca nuk ka ende një kandidat. Vetëm në një deklaratë Berisha ka thënë se cdo drejtues i PD plotëson kushtet për të qenë president. Si Topalli, si Bode ashtu edhe Beja janë 3 emra që i plotësojnë kriteret për të qenë president të ardhshëm.
Sa i përket kandidaturës së Fatos Nanos, Olldashi tha se ajo ishte e papërshtatshme për shkak të distancimit të tij nga politika shqiptare. Megjithatë ai shtoi se nëse Nano do të propozohej në bazë të një vendimi politik të PD-së, do ta respektonte dhe do ta votonte Nanon, pavarësisht se personalisht nuk është dakort.
Duke u ndalur tek situata brenda Partisë Demokratike, për zërat për një luftë brenda forcës kryesore qeverisëse mes zyrtarëve të lartë të saj, si dhe tek largimi para pak ditës i Gazmend Oketës, ministri Olldashi deklaroi: Ska rivalitet mes meje dhe Bashës. Më vjen mirë që marrëdhënia ime me Bashën konkretizohet në punë për kryeqytetin përvec marrëdhënies njerëzore shumë të mirë me Bashën. Nuk ka konflikte të tilla në PD, ska përcarje. Ne jemi në një anije të përbashkët në PD, ku ka debat, ka opinione herë kështu e herë ashtu që janë pjesë e funksionimit të një partie të madhe.
Ndërsa për mungesën e mbajtjes së zgjedhjeve për strukturat drejtuese të PD-së,zoti Olldashi tha se pavarësisht kësaj, zgjedhjet nuk kanë krijuar asnjë vakuum. Madje ai theksoi se nënkryetari, kryetari, këshilli dhe kryesia janë organe të mandatuara dhe brenda mandatit.
Rivaliteti me partinë e re që pritet të formohet në fund të këtij muaji e që do të udhëhiqet nga presidenti aktual, Bamir Topi në momentin që këtij të fundit do ti përfundojë mandati në këtë post, dhe Aleancës KuqeZi, për zotin Olldashi nuk e shqetëson Partinë Demokratike. Kjo, tha ai, për disa arsye: Partia Demokratike nuk shqetëshet as për Topin as për numëroret e Topit. PD është e konsoliduar në pozicionin e vet kontrata jonë është me qytetarët shqiptarë. Topit iu dekonspirua vota, prandaj smund të marrë asnjë votë djathtas sot. Në momentin që votoi për Ramën, smerr vota djathtas.
Olldashi u ndal tek largimi i Gazmend Oketës nga rradhët e mazhorancës: Oketa, kemi dy fenomene gabimesh. U përjashtua Kastriot Islami, Oketa u largua me vullnetin e tij. Në argumentet e Oketës ka disa gjëra që nuk qendrojnë: pretendimi që ishte kundër ndryshimeve kushtetuese të 2008-s, kur ai i ka votuar ato Oketa. Oketa duhet të të dorëzonte mandatin e marrë me siglën e PD-së pastaj të vazhdonte jetën politike me partinë e re.
Duke iu rikthyer presidentit Topi, Olldashi ripërsëriti akuzat e mazhorancës ndaj tij duke deklaruar se për pesë vite me radhë Bamir Topi ka punuar për të shkatërruar PD-në: Topi në maj ishte me votë kundër Partisë Demokratike, në 21 janar ishte me pushkë me dorë kundër PD dhe këto rrethana e bëjnë Topin të mos pretendojë asnjë votë nga mbështetësit e djathtë. Nuk shqetësohemni as nga Topi as nga numërorët e Topit.