Qeveria miraton vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rritjen e pagës minimale për të gjithë punonjësit e administratës. Kryeministri Sali Berisha deklaroi të mërkurën në mbledhjen e qeverisë se paga minimale e punonjësve të administratës do të rritet me 11.3 %. “Me këtë vendim duke përfshirë dhe vendimin për heqjen e tatimit mbi të ardhurat që kemi bërë për nivelin nën 30 mijë lekë, paga minimale e punonjësve të administratës, që janë në numër të vogël rreth 1 %, rriten me 11.3 %”, theksoi kryeministri. Kreu i qeverisë vuri në dukje se në përputhje me Konventat Ndërkombëtare, konventën numër 26 të ILO-s, niveli i pagës minimale është i detyrueshëm për të gjithë punëdhënësit shtetas dhe jo shtetas shqiptarë në Republikën e Shqipërisë. Sipas Kryeministrit, kjo rritje pagash përmirëson raportet e pagave brenda piramidës së administratës. Kryeministri gjithashtu informoi se javën që vjen do të miratohet edhe premtimi i dhënë për rritjen e pagave dhe pensioneve. “Është një vendim i mandatit të katërvjeçarit që po mbaron dhe nuk mund të mbetet pa u miratuar. Fjala e dhënë është fjalë e mbajtur”, deklaroi kryeministri.
...