Olldashi: Kreu i PD-së duhet të jetë në parlament. Basha: Mbështetem te Berisha dhe Azem Hajdari
Dy kandidatët për kreun e PD-së, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, kanë dhënë mesazhet e tyre të fundit, para se të zhvillohen zgjedhjet ditën e nesërme.
Olldashi ka thënë se kreu i ri i PD-së duhet të jetë në Kuvend, një kriter që Basha nuk e plotëson dot.
Unë e njoh strukturën e Partisë Demokratike shumë mirë, sepse kam hyrë në PD si militant, siç keni hyrë ju të gjithë dhe pastaj kam ngjitur dhe kam zbritur shkallë, deri sa kam arritur këtu ku jam. Avantazhi i dytë, që kam në këtë garë, është eksperienca opozitare. Të gjithë ata, që janë anëtarë të vjetër të Partisë Demokratike dhe militantë të vjetër, e dinë që një parti në opozitë vepron krejt ndryshe nga një parti në pushtet. Avantazhi i tretë është të qënit në Parlament. Debati politik atje e ka arenën dhe atje duhet të zhvillohet. Ne e kemi parë këto vite, kur ne kemi qenë në pushtet, se sa i pabarabartë ka qenë debati në Parlament. Ju të gjithë e dini, që në asnjë ditë të vetme, në asnjë seancë të vetme, Sali Berishën nuk e konkuroi kush në Parlament. Sepse nuk kishte asnjë autoritet, që ti dilte përballë Berishës. Tani duhet të shikojmë të kundërtën, aty do të jetë kryeministri i atyre dhe duhet, patjetër, që aty të jetë kryetari i opozitës. E fundit, që është avantazh, është koha. Unë e kam të gjithë kohën në dispozicion të reformës dhe ristrukturimit të partisë dhe Partia Demokratike, në këtë moment, ka nevojë për shumë kohë, sepse ka nevojë për shumë reformime dhe ristrukturime, të cilat duhet të ndiqen me precedencë, tha Olldashi.
Nga ana tjetër, Basha ka thënë se në garën për kreun e PD-së, bazohet tek Sali Berisha dhe Azem Hajdari.
Më lejoni të ndaj një rrëfim me ju! Që nga ditët e para, kur miq, dashamirës, njerëz që duan të më shohin si kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre pyesnin: Kë ke në Durrës, kë ke në Vlorë, po në Shkodër kë kemi, në Korçë kë ke, po në Gjirokastër kë kemi!? Dhe përgjigja ime ka qenë vetëm një: Në Durrës, në Korçë, në Shkodër, Gjirokastër, në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë kam dhe kemi Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë e Sali Berishës, partinë e Azem Hajdarit. Vetëm kështu, të bashkuar, vëllezër dhe motra, do të nisim një rrugëtim të fuqishëm, për rikthimin sa më shpejt në krye të asaj që na takon, tha Basha./b.l