E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: LDG të ketë statusin e një dege të PD-së

20-07-2013 / Gazeta 55

Kandidati në garën për Drejtuesin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ndau pikëpamjen e tij për një raport të ri përfaqësimi në parti, të grave dhe vajzave. Në një takim të posaçëm me drejtuese dhe aktiviste të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Sokol Olldashi propozoi që LDGSH- të funksionojë si një degë brenda strukturës se Partisë Demokratike. Në mbrojtje të kësaj teze, Olldashi deklaroi se me projektin e tij, gratë e forumit përfitojnë më shumë të drejta politike. “Duhet të jetë e shpejtë koha, kur Partia Demokratike , si strukturë politike dhe Lidhja Demokratike e Gruas si organizatë partnere, të ulen bashkë dhe të negociojnë për statusin e ri, që nuk do të trajtojmë më LDGSH-në , thjesht si organizatë partnere, por që duhet t’i japë, asaj statusin e një dege me të drejta të plota, nga pikëpamja formale statutore. Kjo do t’i japë Lidhjes Demokratike të Gruas, disa të drejta që sot nuk i ka. Ne praktikisht I japim një zhvillim cilësor statusit të zonjave brenda strukturës politike dhe LDGSH-së një mekanizëm të ri propozimi dhe përfaqësimi brenda të gjithë strukturës së Partisë Demokratike”- tha ai. Sokol Olldashi më herët zhvilloi takime me anëtarë dhe drejtues të Grupseksioneve të PD-së në Njësitë Nr. 5, 7 dhe 11 në Kryeqytet. Olldashi kërkoi të zbatohet një format i ri organizimi në degën e Partisë Demokratike në Tiranë, për të mirëmenaxhuar territorin elektoral në Metropolin, e populluar me afro 1 milionë banorë.  Në zbërthim të paketës për ristrukturimin e PD-së, Kandidati Olldashi ritheksoi propozimin për rikthimin në Kryesinë e PDSH-së, të drejtuesve politikë në rrethe, për të zotëruar të gjithë terrenin e partisë. Kandidati Olldashi zhvilloi takime edhe me strukturat e PD-së në Bërzhitë dhe në Kamëz, nga ku përcolli mesazhet se demokratët do të përfshihen shumë shpejt në aksionet opozitare për t’u rikonfirmuar shumicë. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›