Basha: Do të mbrojmë çdo punonjës të administratës
Basha-demokratëve: Të bashkohemi për të rikthyer PD në pushtet
Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar dje platformën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike, para anëtarëve të kësaj partie, në Korçë, Librazhd dhe Pogradec. Basha u ka bërë thirrje demokratëve, që bazuar në vlerat dhe përvojat më të mira, të bashkohen për të rikthyer PD, në udhëheqje të ëndrrës së Shqipërisë së zhvilluar evropiane, aty ku e presin shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve.
Deklarata
Si mund të respektojmë problemet, hallet, kontributet e shqiptarëve, nëse nuk njohim dhe vlerësojmë meritat e njeri – tjetrit në mënyrë të barabartë, proporcionale, të drejtë dhe transparente. Bazuar në vlerat dhe përvojat tona më të mira, të bashkohemi për tu përballur edhe njëherë me Edi Ramën, për ta mundur, për ta çuar në opozitë dhe për të rikthyer PD, aty ku e kërkon destinacioni ynë historik, aty ku e presin shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve të ndershëm, në udhëheqje të ëndrrës së Shqipërisë së zhvilluar evropiane, theksoi Basha.
Sulmet ndaj mazhorancës së re
Më tej Lulzim Basha ka sulmuar sërish mazhorancën e re, duke e cilësuar atë me një mentalitet anti-shtet, duke theksuar se në drejtimin e tij, Partia Demokratike do të jetë gati që në javën e parë, për të ngritur mekanizmat e nevojshëm për të mbrojtur çdo punonjës të administratës nga largimi antiligjor nga puna. Partia Demokratike është gati që sot, të përballet në çdo rast abuzimi me pushtetin dhe goditje të administratës publike dhe shërbimit civil, në mënyrë që për çdo rast tu ballafaqojmë atyre faturën ligjore dhe detyrimin për ti rikthyer në punë, faturën financiare dhe detyrimin për ti dëmshpërblyer moralisht dhe materialisht dhe faturën morale dhe politike, për çdo akt abuzimi mbi vlerën e krijuar shoqërore të administratës publike dhe shërbimit civil në Shqipëri.