Olldashi dhe Braçe përleshen dhe fyejnë njëri-tjetrin në Kuvend
Deputeti i PS-së dhe ministri kanë akuzuar njëri-tjetrin. Dy deputetët deklarojnë: ”Nuk mbaron me kaq, do të shkojmë në gjyq”
Erald Kapri
Kuvendi është përfshirë ditën e djeshme në një arenë sharjesh dhe vandalizmi. Ministri i Transporteve dhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin fyerje nga më banalet si dhe kanë kërkuar të konfrontohen fizikisht. Ka qenë ndërhyrja e shpejtë e punonjësve të Gardës së Republikës që ka bërë që situata të ftohej, ndryshe deputeti Braçe dhe ministri Olldashi do të shkëmbenin me njëri-tjetrin grushte në sallën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërpreu menjëherë seancën, duke kërkuar 2 minuta pushim, por që në të vërtetë seanca nuk filloi për gati një orë. Pjesa më e madhe e deputetëve u largua nga seanca për të mos u kthyer më dhe një pjesë e tyre u kthye mbas një kohe më të gjatë sesa kërkoi kryetarja Topalli. Fillimi i seancës ngjante gati me një dhomë bosh, pasi pjesa më e madhe e deputetëve mungonte në sallë. Ndërkohë që incidenti në fjalë bëri që në sallë të mungonin të gjithë ministrat e kabinetit “Berisha”.
Ngjarja
Ndonëse situata mes opozitës dhe maxhorancës është në një fazë më të ngrohtë sesa ka qenë më parë për shkak të realizimit të reformave, kjo nuk ka penguar që Parlamenti të kthehet në një arenë fyerjesh dhe kërcënimesh. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist dhe ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, janë përplasur dje në sallën e Kuvendit duke shkëmbyer replika dhe akuza të ashpra. Konfrontimi ka nisur pas akuzave të deputetit Braçe për afera në tendera publikë. Sipas Braçes, është thyer premtimi i kryeministrit Berisha, pasi ka kompani shqiptare që kanë marrë në ngarkim disa projekte me vlerë miliona euro. Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist ka përmendur tenderin e rrugës Levan-Vlorë dhe disa akse të tjera të rëndësishme. Akuzave të Braçes i është përgjigjur menjëherë edhe ministri Olldashi, i cili ka hedhur poshtë zërat për afera dhe korrupsion. Menjëherë mbas fjalës së ministrit Olldashi situata ka degraduar në fyerje dhe sharje banale, që kanë detyruar kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli të ndërpresë seancën për disa minuta dhe të thërrasë në zyrën e saj dy protagonistët e ngjarjes.
Fyerjet
Situata filloi të nxehet kur në pjesën e fundit të fjalës së tij ministri i Punëve Publike ka deklaruar se ka deputetë në Parlament që përcjellin interesat e kriminelëve ordinerë. “Janë të ndryshme nga procedurat, do të thosha, që përpiqen të sjellin këtu njerëz që harbojnë në oborret e vrasësve, që merren me ndërtime dhe që kanë interesa të tjera, aspak të lidhura më publikun”, - u shpreh Olldashi. Kjo deklaratë e tij ka qenë e mjaftueshme që të “ndizen gjakrat” në sallën e Parlamentit. Menjëherë Erion Braçe është ngritur për të shkuar drejt podiumit të Parlamenti duke i kërkuar fjalën kryetares Topalli për të replikuar ndaj ministrit Olldashi. Kryetarja Topalli nuk ka pranuar, duke u shprehur se nuk lejohen kundër-replikat dhe në këtë moment humbi kontrolli mes protagonistëve. Mes tyre nisi një dialog ofendues duke bërë që ministri Olldashi të ngrihet nga vendi për t’i shkuar afër deputetit Braçe. Deputetë të tjerë të Kuvendit si dhe punonjësit e Gardës kanë ndërhyrë duke mos lejuar përplasjen fizike mes dy politikanëve. Në këtë pikë të dy protagonistët i bënë një premtim njëri-tjetrit, se çështjen do ta çojnë në gjyq për t’u konfrontuar me ligjin.
14 Mars 2008