Raporti sekret ”Sagem”, probleme me kartat në Kosovë
Zbardhet investigimi i porositur nga zyra e UNMIK-ut. Zyra e ekspertizës “G&D” evidentoi dëmet
Habjon Hasani
Firma “Sagem”, e cila është një ndër pretendentet për fitimin e projektit për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit në Shqipëri, përveç skandalit të shkaktuar në Nigeri duket se ka hapur jo pak telashe edhe në Kosovë. Ndërsa “Albania” ka bërë publik ditën e djeshme precedentin nigerian, së fundi një raport koefidencial, i porositur nga një zyrë hetimore e UNMIK-ut, zbardh abuzimet e kësaj firme edhe në Kosovë. Sikurse është bërë e ditur në “Albania”, është vërtetuar se një vendim i posaçëm i qeverisë “Berisha” vendosi të prokurojë në mënyrë të drejtpërdrejtë firmën ortake të “Sagem” për caktimin e parametrave të kartave të identitetit. Një tjetër fakt lidhej me marrëdhëniet mes Ministrisë së Brendshme dhe kësaj firme për kontrollin e sistemit elektronik. Jo më larg se dje, kjo ministri ka reaguar me anë të një sqarimi (i cili është botuar sot i plotë) ku mohon marrëdhëniet kontraktuale mes saj dhe “Sagem”, ndërsa raporti i “Pameca” zbardh faktin se mes specialistëve të kësaj ministrie dhe firmës “Sagem” ka marrëdhënie që lidhen me inspektimin e sistemeve elektronike të institucioneve të vartësisë. Gjithsesi, sot “Albania” do të botojë pjesën e parë të raportit të zyrës së ekspertizës “G&D” në Kosovë që evidenton pikërisht shkeljet dhe abuzimet e kësaj firme në këtë vend.
Raporti
Raporti, i siguruar nga një ish-funksionar i lartë në Kosovë, është porositur nga një zyrë e posaçme e UNMIK-ut dhe më tej i është shpërndarë dhe të gjitha institucioneve qendrore të Kosovës. Pas tenderimit për prodhimin e kartave të identitetit në Kosovë, institucionet e Kontrollit të Brendshëm të UNMIK-ut urdhëruan hetimin e aktivitetit të kësaj firme e për rrjedhojë arritën të siguronin informacionin koefidencial. Ekspertiza e kryer nga “G&D” nuk është protokolluar kurrë, por ka funksionuar si një dokument thuajse sekret, pasi ka qenë vetë kjo ekspertizë që ka evidentuar mbështetjen në shumë raste të firmës franceze “Sagem” nga një pjesë e drejtuesve të UNMIK-ut, që në vitin 1999 (kohë kur kryhej tenderimi) kishte një pjesë të drejtuesve francezë.
Nigeri
Ditën e djeshme, “Albania” faktoi se francezja ”Sagem” në mënyrë të përsëritur ka qenë epiqendra e disa skandaleve ndërkombëtare, që lidhen pikërisht me abuzimet në prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Por rasti më flagrant ka lidhje me Nigerinë, ku katër vite më parë, si pasojë e këtij skandali, u arrestuan tre ministra dhe dy zyrtarë të lartë. Kjo ngjarje është pasqyruar asokohe në mediat më të mëdha ndërkombëtare si BBC, Reuters, CNN etj. Sipas raportimit të BBC-së, mësohet se skandali ka lidhje me dy probleme themelore, që janë karakteristike edhe për Shqipërinë. Sikurse dhe në Shqipëri, asokohe shteti nigerian nuk kishte regjistër themeltar të popullsisë të përditësuar, fakt ky që ndikonte shumë në rregullsinë e zgjedhjeve të këtij vendi. Ndërkohë që ishte firma ”Sagem” ajo që do të krijonte regjistrin e përditësuar themeltar, rezultoi se edhe pse kjo firmë kishte fituar tenderin prej 214 milionë dollarësh për të kryer këtë detyrë, nuk e krijoi regjistrin e përditësuar sikurse parashikohej në kontratë. Ky fakt u bë shkak që opozita të jepte alarmin për manipulimin e zgjedhjeve, pasi logjikisht tenderi prej 214 milionë dollarësh për “garancinë” e kartave të identitetit nuk e kishte kryer misionin.
BOX
Republika e Shqipërisë
Ministria e Brendshme
SQARIM
Në lidhje me shkrimin e botuar në gazetën tuaj të datës 13 mars 2008, ku aludohet se firma “Sagem” ka pasur dy herë marrëdhënie kontraktuale me Ministrinë e Brendshme, ju sqarojmë se:
1- Firma “Sagem” nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale me
Ministrinë e Brendshme.
Firma “Sagem” ka një kontratë me Delegacionin e Komisionit Europian në
Tiranë, për implementimin e projektit DATACOM në Policinë e Shtetit.
2- Firma “Sagem” nuk ka asnjë lidhje dhe nuk menaxhon asnjë rrjet të
brendshëm kompjuterik në Ministrinë e Brendshme.
Këto pretendime të prezantuara në gazetën tuaj janë të pavërteta.
BOX
Misioni Europian PAMECA
Pjesë nga Raporti i vitit 2007 (fq. 60)
Mjedis, sisteme dhe furnizime teknike (i) Koordinimi dhe zbatimi i Infrastrukturës
së Komunikimit të të Dhënave për PSh në maj 2007, Sagem & Page Europa
përfunduan një inspektim pikash në bashkëpunim me një specialist të PSh. Një
raport i sondazhit është kryer në qershor të vitit 2007 kundrejt përfituesit dhe DKE.
BOX
Raporti që i është dorëzuar UNMIK-ut për veprimtarinë e “Sagem”
Në vijim është një përshkrim i dështimit të “Sagemi”-t në lidhje me rolin e tij brenda kontekstit shoqëror, kulturor dhe politik, kur zhvillonte biznes me Kosovën dhe rezultatet negative për të gjitha palët e përfshira. Ashtu siç do të zbulojmë në faqet në vijim, mospërfillja e dukshme e “Sagemi”-t ndaj qëllimeve të partnerëve të tij p.sh, komunitetit ndërkombëtar, ruan vetëm një rekomandim për qeverinë nigeriane.
UNMIK
Në qershor të vitit 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vendosi një Mision të Përkohshëm Administrativ të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Një nga mandatet e UNMIK-ut ishte të projektonte dhe zbatonte një sistem të Administratës Civile funksional autonom të mirëqeverisjes në Kosovë. Për përmbushjen e këtij mandati, UMNIK-u u nda në katër “shtylla” ose degë. Shtylla I – Komisioneri i Lartë i KB për Refugjatët (UNHCR) (sot “Shtylla e Policisë dhe Drejtësisë); Shtylla II – Administrata Civile e KB; Shtylla III – Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE); dhe Shtylla IV – Bashkimi Europian.
-Në prill të vitit 2000, UNMIK nisi procesin e Regjistrimit Civil dhe të Votuesve të popullsisë madhore i lajmëruar prej shumë kohësh. Kjo u bë e mundur me anë të një Force Ushtarake të Bashkuar për Regjistrimin (JRTF) e ngritur ndërmjet Shtyllës I dhe Shtyllës II, p.sh, Administrata Civile e KB dhe OSBE. Kompania franceze “Sagem” është kontraktuar për të siguruar mekanizmin e nevojshëm për të krijuar një bazë qëndrore të dhënash dhe për të prodhuar kartat e identitetit.
-Procesi i Regjistrimit është shtyrë disa herë për shkak të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të problemeve ndërmjet Shtyllës I dhe II si dhe për shkak të problemeve me shpërndarjen dhe instalimin e harduareve dhe softuareve nga “Sagem”.
SAGEM
Dy kontrata janë nënshkruar me SAGEM në vitin 1999 dhe kërkesat kryesore të një Regjistri Qendror Civil funksionues me bazë të dhënash të efektshëm dhe të saktë dhe me një sistem të prodhimit të dokumenteve civile (kartat e identitetit) u janë shpjeguar atyre me përpara. Më tej, është parashikuar dhe u është shpjeguar që i njëjti sistem duhet të kishte kapacitetin për të përpiluar një listë të besueshme votuesish dhe të prodhonte dokumente të tjera civile nga të njëjtat të dhëna.
UNMIK llogariti në regjistrimin e popullsisë madhore (rreth 1,2 milionë) në Kosovë për një Regjistër Civil dhe për Listat e Votuesve lokalë. Plani fillestar duhet të niste në fillim të marsit 2002. Megjithatë, për shkak të problemeve në sajë të përgatitjeve të pajisjeve dhe instalimit të harduareve dhe softuare, të dyja qendrore dhe në baza, të SAGEM, faza e parë e regjistrimit u vonua pothuajse 8 javë. Detyra duhet të përfundonte jo më vonë se në mes të korrikut, duke lejuar një periudhë Ankimesh dhe Apelimesh në gusht të vitit 2000 dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të cilat ishin parashikuar në 24 tetor të vitit 2000.
SAGEM lëvroi një sistem në bazë dhe në qendër, i cili ishte i pamjaftueshëm në softuare dhe në strukturën për të funksionuar si një Regjistër Civil. Gjithashtu, SAGEM duhet të dorëzonte një menaxhim projekti dhe shërbime të tjera, si dhe bazën qendrore të të dhënave duke përfshirë licencat e softuare. Prandaj, SAGEM vazhdoi të kontrollonte plotësisht softuare dhe më vonë të mbështeste një sistem me më pak ekspertë në vend.
SAGEM ishte plotësisht i vetëdijshëm për kërkesat e UMNIK-ut, por dështoi të vepronte në mirëbesim kur shpjegoi kufizimet dhe pasojat e një sistemi të tillë për UMNIK-un dhe stafin e BE-së. SAGEM lëvroi plotësisht “një sistem të mbyllur”, si pjesë e sigurimit kundër falsifikimit të të dhënave, por gjerësisht si një strategji e sigurt të “mbyllte” UMNIK-un në një situatë ku mund të mbahej financiarisht dhe teknologjikisht “peng”.
Kjo ka patur pasoja politike dhe financiare të tmerrshme në Kosovë, si për popullsinë e Kosovës, edhe për UMNIK-un. Një kompani që punon në një mënyrë të tillë do të humbiste të gjithë besimin, veçanërisht me organizatat ndërkombëtare, me staf dhe të pajisur nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Europian, IFI, OSBE, etj. Flitet ende për veprimin e SAGEM me keqbesim dhe papërgjegjësi ndaj UMNIK-ut, BE-së, donatorëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Si pasojë e zgjedhjeve dhe detyrimeve kohore, vetëm adultët janë regjistruar për të siguruar se kartat e identitetit dhe listat e votuesve të përgatiten dhe printohen para zgjedhjeve. Regjistrimi i fëmijëve ishte planifikuar për në shtator të vitit 2000. Ndërmjet muajit prill dhe korrik 2000, probleme shumë të mëdha janë zbuluar me pajisjet e SAGEM në bazë. Sistemi i SAGEM - it ishte shumë delikat; struktura e bazës nuk mund të siguronte energji elektrike të mjaftueshme për të përballuar mbledhjen e të dhënave biometrike; pajisja e gjurmëve të gishtërinjve nuk mund të kapte në shumicën e rasteve gjurmën e ashpër të gishtit të fermerëve të Kosovës ashtu sikurse edhe imazhet e fotografive nuk ishin të qarta. Kjo si pasojë e jobesueshmërisë së pajisjeve të SAGEM -it, ndriçimi i dobët dhe në përgjithësi keqpërdorimi i pajisjeve.
-Gjatë marrjes së të dhënave alfa dhe biometrike janë bërë shumë gabime nga ekipi për shkak të mungesës së qartësisë në udhëzimet, neglizhencës dhe mungesës së kontrollit të duhur të cilësisë së SAGEM - it. Ky ishte faji i SAGEM –it dhe i JRTF. Megjithatë, shërbimi që SAGEM siguroi për t’i korrigjuar këto probleme ishte i ngadaltë dhe i papërshtatshëm. Më tej, eksperti i SAGEM – it në Kosovë ishte objekt i ndjekjes në mënyrë strikte të zinxhirit të tij të urdhrave dhe nuk kishte mundësi për të vepruar në mënyrë të lirshme, siç e kërkonte situata, pa autorizim të plotë dhe të vazhdueshëm nga Parisi.
-Paralelisht me të lartpërmendurat dhe për shkak të pengesave politike për shqipëtarët e Kosovës për të aplikuar për pasaportë jugosllave, UMNIK-u vendosi të lehtësonte udhëtimet për banorët e Kosovës dhe të siguronte dokumente udhëtimi të cilat plotësonin standardet e cilësisë të vendosur nga Organizata Ndërkombëtare e Shërbimit të Aviacionit (ICAO).
Dokumenti i udhëtimit që UMNIK-u kishte parashikuar ishte unik në karakterin e tij dhe një dokument historik. Kjo do të ishte hera e parë që Kombet e Bashkuara kishin siguruar, si një zgjidhje të përkohshme, një dokument të ngjashëm për udhëtimin e popullsisë brenda një shteti. Është e qartë që është një lëvizje politike, por duhet theksuar se meqë Dokumenti i Udhëtimit nuk është një “Pasaportë”, nuk është një thyerje e sovranitetit të Republikës Federale të Jugosllavisë (FRY). Ky dokument udhëtimi do të jetë i ligjshëm deri në mandatin e UMNIK-ut (si autoriteti ligjor në Kosovë).
Rrjedhimisht, pasi një tender u fitua nga Giesecke & Devrient i Gjermanisë në janar 2000, UMNIK-u bëri më të mirën për të siguruar përshtatjen e të dy sistemeve (SAGEM dhe G&D) dhe për të siguruar që sistemi i SAGEM -it do të adaptohej. Një ndërfaqe në bazën qendrore të të dhënave ishte gjithmonë në axhendën e UMNIK – ut për të gjitha llojet e dokumenteve të gjendjes civile, për të cilën SAGEM ishte në dijeni që në fillim të procesit.
Si rrjedhim, SAGEM u ftua në një takim në janar të vitit 2000 dhe përfaqësuesit e tij garantuan se sistemet ishin të përshtatshëm dhe se pajisjet e bazës qendrore të të dhënave dhe vetë baza e të dhënave do të përgatitej. Në bazë të këtyre garancive, komisioni i UMNIK-ut për tenderin rekomandoi kontratën me G&D për sistemin e dokumenteve të udhëtimit. UMNIK - u ka shprehur vazhdimisht kënaqësinë e tij për kontratën dhe bashkëpunimin me G&D, ku kompania është përshkruar me profesionalizëm të lartë dhe me një sistem të besueshëm.
Sidoqoftë, në lehtësirat që po përgatiteshin për Regjistrin Civil, SAGEM dështoi të përfshinte infrastrukturën e personalizimit të Dokumenteve të Udhëtimit dhe bazën e të dhënave të ndërfaqes.
Pavarësisht premtimeve të bëra nga menaxheri i projektit të SAGEM - it, në fund të janarit të vitit 2000, kompania nuk iu përgjigj kërkesave të UMNIK -ut ose komunikoi në lidhje me çështjet e ndërfaqes me muaj të tërë, duke ndaluar në kohë dhe duke rritur presionin mbi autoritetet ndërkombëtare në Kosovë. SAGEM u ankua gjithashtu se BE-ja e kishte ndaluar ta diskutonte këtë çështje me UMNIK -un dhe citoi disa kushte kontraktuale. Është e qartë që kjo nuk ishte korrekte dhe shkaktoi dërgimin e një letre në maj të vitit 2000 nga një përfaqësues madhor i UMNIK –ut për drejtorin e Agjencisë Europiane për Rimëkëmbjen e Kosovës.
Ndërsa autoriteti për dokumentin e udhëtimit i UMNIK -ut po vendosej anë e mbanë Kosovës; mbi 150 punonjës po rekrutoheshin dhe trajnoheshin, Kombet e Bashkuara dhe shtete anëtare të Bashkimit Europian u përqasën për njohjen e dokumentit (deri tani rreth 25 shtete, duke përfshirë BE dhe USA e kanë njohur dokumentin e udhëtimit). Parametrat ligjore po zgjidheshin në Selinë Qendrore të OKB-së në Nju Jork dhe në Prishtinë. G&D po printonte 300 000 dokumente udhëtimi të cilësisë së lartë dhe duke i dhënë prekjet e fundit sistemit të tij të sofistikuar për personalizimin e dokumenteve në zyrën e tij qendrore në Mynih. Regjistrimi i banorëve të Kosovës ishte në lëkundje të plotë.
-Ku ishte SAGEM? Dukej se kjo kompani nuk kishte një ndjesi të mirë për reputacionin e vet ose përfshirjen në një proces paqeje historike dhe sigurie. Ndoshta, më e rëndësishmja që prej Luftës së Dytë Botërore dhe sigurisht vendimtare për angazhimet ndërkombëtare për bashkëpunimet e mëdha përsa i përket paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në të gjithë botën.
Pas kërkesave të para të UMNIK-ut rreth çështjeve të ndërfaqes në janar të vitit 2000, ishte në fund të korrikut kur SAGEM vuri re rëndësinë e diskutimeve me UMNIK-un. Në një takim rreth datës 10-11 korrik të vitit 2000, SAGEM premtoi të propozonte urgjentisht zgjidhje financiare dhe teknike për këto çështje. Gjatë të njëjtit takim, SAGEM ishte edhe një herë i informuar rreth rëndësisë për të siguruar që të dhënat civile që i përkisnin UMNIK-ut të bëheshin të disponueshme nga sistemi i SAGEM –it për dokumentet e udhëtimit jo më vonë se mesi i gushtit i vitit 2000.
Megjithatë, SAGEM ndaloi së komunikuari dhe filloi të ndalonte. Pas disa presionesh, kompania i dorëzoi UMNIK-ut në mes të gushtit një propozim me zgjidhje teknike shumë të gjera në qëllim, i pasaktë në specifikimet e tij; kërkonte shumë kohë (kërkonte gjashtë javë shtesë për zbatimin) dhe me një kosto të përgjithshme shtesë 345, 000.00 euro! Ekzaminimi tregoi se ky çmim ishte rritur me rreth 150,000.00 euro!
(Vijon nesër)
14 Mars 2008