E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Tenderi i kartave të identitetit, të shkarkohet zëvendësministri Poni

Partia Socialiste ka reaguar ndaj skandalit që ka shpërthyer me tenderin e kartave të identitetit. Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, në një konferencë për shtyp, ka kërkuar dorëheqjen e zëvendësministrit të Brendshëm Ferdinand Poni, i cili drejton edhe komisionin e tenderit për kartat e identitetit. “Pra, duke arsyetuar mbi të gjitha këto në kushtet e mëdha të hapësirave korruptive të ofruara nga procesi i fundit tenderues, në kushtet e inkompetencës dhe shqetësimit të partnerëve strategjikë, i kërkojmë qeverisë shqiptare largimin e menjëhershëm nga ky proces të personave të akuzuar, personave të cilët kanë përgatitur dhe termat e referencës, duke filluar nga ky proces reagimi nga zv.ministri i Ministrisë së Brendshme, z. Ferdinand Poni dhe duke ofruar qeveria shqiptare transparencën më të madhe për opozitën shqiptare”, - tha Klosi. Deputeti socialist akuzoi gjithashtu qeverinë se nuk është në gjendje të ofrojë transparencë për procesin e tenderimit të prodhimit të kartave të identitetit, ndërkohë që përmendi edhe paaftësinë dhe mungesën e saj për ta mbyllur sa më shpejt në kohë këtë proces. “Kërkohet një zgjidhje përfundimtare e procesit të kartave të identitetit, pasi janë ofruar në tenderin e fundit vetëm kompani që sjellin dhe shesin një mall, duke gjykuar mbi inkompetencën e qeverisë për të realizuar një proces sa më transparent dhe sa më të shpejtë në kohë, duke e shtyrë këtë proces në një proces me kosto shumë të lartë, ku qytetarët shqiptarë do të detyrohen të paguajnë një kosto shumë të madhe për kartat e identitetit dhe për pasaportat biometrike”, - deklaroi sekretari Organizativ i Partisë Socialiste. Klosi përmendi gjithashtu shqetësimin edhe për hartimin e Regjistrit Kombëtar të Zgjedhësve, ku akuzoi edhe në këtë drejtim qeverinë për mungesë transparence. “Përsa i përket Regjistrit Kombëtar, shikojmë me shumë shqetësim nga qeveria shqiptare mungesë të plotë vizioni dhe transparence. Mungesë vizioni pasi kërkohet realizimi i një regjistri kombëtar në kushtet e plota të mungesës së zgjidhjeve teknike. Nuk po realizohet fare procesi në 284 njësi. Ndërkohë që është premtuar që në pranverën e këtij viti ne do të kemi një regjistër të plotë kombëtar të shtetasve shqiptarë”, - u shpreh Klosi.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›