Olldashi i kërkon Ramës planin urbanistik të Tiranës

UPDATE - Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i kërkoi sot Bashkisë së Tiranës të paraqesë planin rregullues të kryeqytetit. "Shpresoj që të arrijmë të kemi më në fund edhe një plan rregullues për kryeqytetin", deklaroi ministri Olldashi të martën, gjatë prezantimit të planeve rregulluese të katër qyteteve të vendit, Beratit, Gjirokastrës, Korçës dhe Lushnjës, në Hotel "Tirana International". "Ka muaj që është bërë dhe mbahet në sirtar dhe shpresoj që njerëzit që mbikëqyrin planin e Tiranës e kanë tashmë kohën në dispozicion për të kryer procedurat për këtë plan dhe për ta çuar përpara", tha kreu i MPPTT-së.
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, tha se qendrat kryesore urbane tashmë do të kenë një zhvillim të kontrolluar dhe të planifikuar. Gjatë një takimi të zhvilluar në Hotel "Tirana international" për lidhjen e kontratës për hartimin e planeve rregulluese të katër qyteteve, që do të përfshihen në projektin e administrimit të tokës, Lushnjës, Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës, Olldashi u shpreh se "kjo paketë i jep një tjetër përmasë projektit që ne kemi në zhvillim prej kohësh dhe i bashkangjitet qyteteve të Shkodrës, Durrësit, Vlorës dhe Kamzës, duke i dhënë paketës formën e duhur që përfshin të gjithë qytetet e mëdha të vendit". "Një tjetër element i rëndësishëm i këtij programi është fakti që, veç hartimit të planit, parashikohet dhe trajnimi i stafeve bashkiake, në mënyrë që të kryejnë përditësimin e këtyre planeve për periudhën që plani do të jetë në fuqi", theksoi Olldashi. Kontrata për bërjen e planeve urbanistike të këtyre qyteteve është lidhur me shoqërinë izraelite "Marmanet"&Leman Architects" dhe ka një afat një vjeçar, me një vlerë rreth 1 milionë euro. Kjo shoqëri është përzgjedhur nga MPPTT të zhvillojnë vizionin e planeve urbanistike, strukturore dhe programet e investimit në infrastrukturë të këtyre bashkive. Ky projekt i zhvillimit të gjerë urban, i financuar nga Banka Botërore në kuadër të projektit "Plani i administrimit të menaxhimit të territorit", ka për qëllim të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe të sigurojë një zhvillim të sukseshëm të qyteteve. Përfaqësuesi i konsorciumit, Eyal Ashbel, premtoi se do të përgatisin plane urbanistike komplekse dhe të dobishme për secilin qytet, të cilat do të shërbejnë si "themele të forta" për zhvillimin perspektiv të tyre. Projekti do të përfshijë ekspertë lokalë në procesin e planifikimit dhe do të sigurojë që planet e zhvillimit të mbështeten në kulturën dhe historinë unikale të qyteteve të tilla të rëndësishme si, Gjirokastra dhe Berati, në potencialin ekonomik të zhvillimit të qytetit të Lushnjës dhe në vazhdimin e zhvillimit të qytetit të Korçës, si një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë në zonën Juglindore.
...