Qeveria Berisha-Meta, një koalicion që do miratojë reformat e vititi 2021
Kryeministri Sali Berisha ka garantuar përfundimin e bisedimeve me LSI-në dhe themelimin së afërmi të një koalicioni qeverisës, i cili do propozojë dhe miratojë një paketë reformash që do të vlejnë edhe për vitin 2021, kur Shqipëria do të ketë vite, e anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Berisha: “Do të bëj çdo përpjekje me Kosovën dhe Maqedoninë, që të gjithë shqiptarët e rajonit të ndihen një dhe vetëm një, pra të bashkuar”
Berisha: “Edi Rama nuk e ka problemin te humbja e zgjedhjeve, por te pengimi i lëvizjes së lirë për interesa personale”
TIRANE - “Edi Rama nuk e ka problemin te zgjedhjet, por problemin e ka një dhe vetëm një: të pengojë lëvizjen tuaj të lirë, sepse mendon se në këtë mënyrë do të dëmtojë qeverinë”. Kështu është shprehur dje në një konferencë për shtyp Kryeministri Sali Berisha, lidhur me mundësinë e mos hyrjes në Parlament të grupit socialist të deputetëve.
Para gazetarëve, Kryeministri Berisha u ndal dje edhe në një koment të shkurtër të Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së. Veçanërisht Berisha u ndal të fjalimi i Edi Ramës në këtë kongres, me anë të të cilti, sipas Kryeministrit i paraqiti shqiptarëve një realitet krejt tjetër. “Edi Rama, në ligjëratën e tij prej 50 minutash, u foli shqiptarëve, për veten e tij i mori i mori valët e ekraneve tuaja, për një realitet fund e krye të trilluar për interesat më të ngushta personale. Pas Kongresit, ka dy ditë që del në bahçe me të njëjtat teza:, komentoi Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri komentoi edhe censurën mediatike që Edi Rama urdhëroi në kongres. “Thellësisht i lënduar mbeta nga censura që ai i rezervoi kundërshtarëve të tij. Mirëpo Partia Socialiste, si një parti, e cila në background-in e saj ka Partinë e Punës së Shqipërisë, ishte shkëputur nga censura dhe u rikthye sërish”, përfundoi Berisha, komentin e tij për Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së.
Duke komentuar më pas, qëllimin e Ramës për bojkotin e Parlamentit, apo edhe për nxirjen e zgjedhjeve, Berisha bëri të ditur se ai e bën këtë vetëm për të penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Sipas Berishës, këtë e bënë për interesa të ngushta personale.
“Ajo që dua t’u them sot shqiptarëve është kjo: Edi Rama ka një qëllim të vetëm, të pengojë me sa të mundet lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Ai e di që muajt afërt që vijnë janë muajt e këtij vendimi. Ai nuk e ka problemin tek zgjedhjet. Ai po e përdor këtë për interes tmerrësisht të ngushtë personal, sepse zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilat sistemin zgjedhor e vendosi opozita dhe jo qeveria, ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u zgjodh me konsensus të plotë, ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi që u zhvilluan me infrastrukturë bashkëkohore, më moderne të kohërave, ishin zgjedhjet e para, në të cilat çdo votë u numërua duke u fotografuar, filmuar dhe arkivuar në arkivin dixhital të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishin zgjedhjet e para që shqiptarët kanë zhvilluar në historinë e tyre, kur në 4700 komisione në çdo qendër votimi, përveçse në 14 qendra, në të gjitha të tjerat, pa asnjë përjashtim, rreth 20 mijë komisionerë të të gjitha forcave politike kanë firmosur bashkërisht çdo procesverbal dhe rezultat pa vërejtjen edhe më të vogël”, rendit më pas Kryeministri, tregues që i bëjnë këto zgjedhje më të mirat në Shqipëri, përkundër pretendimeve të Edi Ramës.
Duke ripërsëritur qëllimin e Edi Ramës, Berisha garantoi gjithë shqiptarët, se Edi Rama do të pengojë lëvizjen e lirë ët shqiptarëve, aq sa e pengoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, me bilbila në vitin 2006. “Prandaj, të dashur qytetarë, ai nuk e ka problemin tek zgjedhjet, por problemin e ka një dhe vetëm një: të pengojë lëvizjen tuaj të lirë, sepse mendon se në këtë mënyrë do të dëmtojë qeverinë. Një miop i vërtetë politik. Unë dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë se qeveria ime mbetet tërësisht e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën, për respekt të plotë ndaj saj, por dua të garantoj gjithashtu qytetarët shqiptarë se aq sa Edi Rama pengoi me bilbila e bori firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në vitin 2006, po aq do të mund të pengojë procesin e liberalizimit, të heqjes së plotë të vizave dhe lëvizjen tuaj të lirë. Por akti është i shëmtuar”, deklaroi Kryeministri Berisha.
Duke komentuar pretendimin e Ramës se zgjedhjet i humbi për shkakun e Berishës, Kryeministri e pranoi këtë pretendim, duke deklaruar se edhe në të ardhmen do i rezervonte të njëjtin fat. “Këtij zotërie i duhet për të bindur mbështetësit e tij se zgjedhjet i humbi për shkakun tim. Absolutisht po. Unë fitova zgjedhjet me rregullat më të ndershme që kam ndjekur dhe të dalë një qytetar shqiptar të më thotë ndryshe dhe e garantoj Edi Ramën se sërish do t’i rezervoj të njëjtin fat”, u shpreh Berisha.
Berisha dha shpjegime edhe për pretendimin e Edi Ramës, për lirimin e të burgosurve gjatë fushatës elektorale. Në këtë kontekst Berisha, përkundër shembullit të një të burgosuri që u ndalua dhe u kthye në vendin e vuajtjes së dënimit, pasi ishte shndërruar në truprojën e një eksponenti të PS-së, kërkoi nga Edi Rama, ndonjë tjetër emër të mundshëm të burgosuri, që ishte implikuar në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
“Zotëri, ky është një vend demokratik. Absolutisht të gjithë të burgosurit kanë të drejtën e votës. Çdo javë e çdo muaj u është dhënë dhe do t’u jepet leje për të shkuar në shtëpinë e tyre. Në parlament, ne kemi votuar ligjin e vuajtjes alternative të dënimit. Zotëri, nëse ke raste konkrete paraqiti. Nuk ekziston asnjë raport dhe asnjë ankesë për asnjë prej tyre, që u liruan përkohësisht me leje, që të ketë bërë ndërhyrjen më të vogël. Ka raste, të dyfishojmë dënimin, të propozojmë ligj për këtë. Por të akuzosh vetëm e vetëm se janë vuajtjes dënimi, kjo është totalisht e papranueshme dhe shumë primitive. Ne ju thamë emrin, i cili doli dhe u bë bodyguard i një prej eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste. E morëm dhe e kthyem aty ku ishte. Jep emër, thuaj kush ishte”, i kërkoi kreu i mazhorancës shpjegime Edi Ramës.
Në përgjigje të interesimit të pyetjeve të gazetarëve, Kryeministri Berisha dhe shpjegime edhe për negociatat e mundshme për qeverinë e re, si edhe për idenë e tij e heqjes së kufijve midis vendeve të rajonit.
Partia Socialiste duket se po shikon mundësinë e bojkotit të parlamentit. Duke qenë se presim që ministrat e Jashtëm të BE-së të shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, a do të ketë ndikim negativ ky vendim i Partisë Socialiste?
Edhe njëherë kam bindjen time më të thellë se ky është një kalkulim i gabuar i Edi Ramës, fatkeq i tij. Natyrisht që bën një figurë të keqe, por, nga ana tjerë, unë kam bindjen më të plotë se ministrat e Jashtëm të BE-së dhe asnjë institucion nuk do të mendojë ndonjëherë të ndëshkojë apo të penalizojë një vend apo një komb për interesa personale të një personaliteti politik të atij vendi, jashtë çdo lloj konteksti.
Nga mënyra se si flisni duket se qeverisja 4-vjeçare e Partisë Demokratike do të jetë e qetë, por megjithatë, ju si Kryeministër, ku e bazoni këtë qetësi tuajën, duke pasur parasysh se opozita e ka bërë të qartë se nuk do të futet në Kuvend, do të kërkojë zgjedhje të parakohshme , plus faktit që aleati juaj kryesor LSI nuk i ka shumë mirë punët me të vetët.
Së pari, në këtë kontekst, unë mund t’ju garantoj ju se shqiptarët më 28 qershor themeluan një nga koalicionet më të suksesshme dhe efiçente që ata kanë njohur në historinë e vendit. Ilir Meta sot bëri fjalë për 2013. Unë mund t’ju garantoj ju edhe për 2021. Ky është një koalicion, i cili ka të gjithë prerogativat, maturinë, ekspertizën, vullnetin e hekurt për t’i dhënë vendit qeverisjen më të mirë, më eficente, për të shtyrë përpara projektin e madh, ëndrrën e integrimit evropian të shqiptarëve. Në çdo parti ka diskutime, por unë nuk ndërhy në diskutimet e asnjë force politike. Kjo është jashtë kulturës sime politike.
Duke pasur parasysh që jemi vend anëtar NATO-s, dua tu drejtoj këtë pyetje: Kohët e fundit janë shtuar zërat që Uashingtoni mund të lëvizi mburojën raketore nga Polonia, Çekia, ndoshta në Ballkan. A ka pasur ndo një kërkesë të tillë për Tiranën, ose ka pasur bisedime midis Uashingtonit dhe Tiranës dhe cili është qëndrimi i Shqipërisë lidhur me këtë çështje?
Nuk ka pasur as edhe një kërkesë të vetme nga Uashingtoni për një vendosje të tillë. Ka një qëndrim konstant të Kryeministrit shqiptar se Shqipëria është e vendosur për bashkëpunimin më të ngushtë me SHBA-të në fushën e sigurisë. Ky është qëndrimi i qeverisë shqiptare.
Folët për 2013 dhe 2021 bashkëpunimi me LSI-në, por, praktikisht, kur do t’i thërrisni aleatët për të formuar qeverinë e re, pasi Presidenti Topi ka dekretuar edhe datën e mbledhjes së parlamentit, datën 7 shtator?
Shumë shpejt unë do të jem para jush, për t’ju informuar hollësisht për koalicionin. Negociatat fillojnë me LSI-në dhe vazhdojnë me aleatët e mi, me të cilët unë kam hyrë në fushatë zgjedhore dhe me të cilët do të kem negociata të sinqerta, të hapura, i vendosur për të ndarë me ta profesionalisht pushtetin.
A do të jeni ju që do ta drejtoni seancën e parë të Parlamentit?
Privilegji më takon mua. Kjo është e vërtetë, por këtë privilegj nuk do ta shfrytëzoj, sepse më pengon një parim themelor, nga dy-tre parimet më themelore të kushtetutave demokratike, ai i ndarjes së pushteteve dhe nuk dua të krijoj edhe përshtypjen më të vogël të mosrespektimit të këtij parimi themelor kushtetues, demokratik. Pra, në aparencë më takon, por, në thelb, më pengon parimi i ndarjes së pushteteve.
Kur do ta mbajë PD-ja kuvendin e saj për të zgjedhur strukturat drejtuese, pasi strukturat vendore u zgjodhën para zgjedhjeve?
Partia Demokratike është parti qeverisë dhe nuk mund t’i vendosë problemet e brendshme të saj, para problemeve madhore të vendit dhe të kombit, siç është qeveria. Pasi të finalizojë tërësisht problemin e vendosjes së qeverisjes në të gjitha nivelet të koalicionit, sigurisht ajo do të merret me zgjedhjet e saj, siç e ka parashikuar statuti.
Lidhur me çështjen shqiptare, mund të na e sqaroni edhe njëherë idenë tuaj për bashkimin kombëtar, pasi është një ide që po qarkullon jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe në analizat e shtypit botëror.
Problemi i bashkimit të shqiptarëve, mbi bazën e idealit të tyre europian, duhet të kuptohet që është një fat i madh që ideali kombëtar shqiptar përputhet tërësisht dhe është i njëjtë me idealin evropian të kombit shqiptar. Ky është një proces i pandalshëm, një proces, me të cilin shqiptarët do të tejkalojnë pasojat tmerrësisht të dhimbshme të njërës prej padrejtësive të mëdha që Evropa ka njohur në tërë historinë e vet, copëtimin e kombit shqiptar. Këtu nuk mund të ketë as edhe një ekuivok. Do të bëj çdo përpjekje me qeverinë e Kosovës, por, për hir të së vërtetës, edhe me qeverinë e Maqedonisë që të vendosim sa më shpejt ato standarde që gëzohen në hapësirën e BE-së, në mënyrë që shqiptarët të ndihen një dhe vetëm një. E kam theksuar dhe e theksoj, kjo nuk ka të bëjë me sovranitetin. Sikundër të harrojë ndonjëri se mund të mendohet për dy apo tre kombe shqiptare. Ka një dhe vetëm një komb shqiptar. Ata që udhëhiqen nga fobia ndaj shqiptarëve, duhet të lirohen. Nuk ka komb më paqësor dhe më të përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit, sesa kombi shqiptar. Mund të më thoni a ka gjë më të shëmtuar, sesa radhët e njerëzve në rajon. Unë mund t’i kuptoj radhët me Greqinë, sepse Greqia është një vend që bën pjesë në ‘Shengen’ dhe e ka të imponuar. Greqia është një vend mik, por gjithashtu një vend që është i detyruar të respektojë standardet e BE-së. Por ç’kemi ne, vendet e tjera, me njëri-tjetrin që stisim radhë me kilometra të tëra, për të munduar dhe stërmunduar qytetarët tanë. Ndaj unë do të përpiqem në këto standarde. Nuk bëhet fjalë këtu për të cenuar stabilitetin. Dy gjëra kanë qenë nga më kryesoret të qëndrimit tim. E para, kam kundërshtuar të gjitha platformat e ndarjes. Ky nuk është interesi kombëtar i shqiptarëve, prandaj i kam kundërshtuar. Nëse do të ishte, nuk i kundërshtoja, sepse ai është interesi që udhëheq çdo politikan. Së dyti, kam mbështetur dhe mbështes fuqimisht pavarësinë e Kosovës si arritjen më të madhe historike kombëtare. Nga njëra anë, shqiptarët të ndjehen mirë. Ky është absolutisht një qëllim madhor i pandryshueshëm dhe i mbështetur, kam bindjen më të madhe, nga të gjithë miqtë e shqiptarëve. Në qoftë se ka mendje të sëmura që imagjinojnë dy dhe tre kombe shqiptare, kjo pastaj është një donkishotizëm jashtë kohërave, jashtë hapësirave demokratike të Evropës dhe perëndimit. Ka një komb shqiptar.
Mendoni se duhet të ishte zoti Topi ai që duhet t’u ngarkonte juve për t’ju mandatuar krijimin e koalicionit të ri ?
Kushtetuat thotë se është partia e parë që garanton shumicën ajo që propozon kryeministrin dhe po për shkak të Kushtetutës, ky propozim do të bëhet në prag të mbledhjes së parlamentit, sepse Kushtetuta duhet të përcaktojë afatin 10 ditor si detyrim për kryeministrin e ri, për të paraqitur programin në parlament. Pra, do të ketë një bashkërendim midis kryeministrit të ri dhe parlamentit për të gjithë skedulën, në përputhje edhe me agjendën e Parlamentit. Ndaj dhe propozimi për kryeministër do të bëhet në prag të mbledhjes së parlamentit, pasi të konturohet publikisht koalicioni qeverisës i katër viteve që vijnë.
Si e komentoni heshtjen e Presidentit Topi lidhur me procesin zgjedhor, i cili ka më shumë se një muaj që ka përfunduar?
Zgjedhjet nuk kanë qenë për presidentin, kanë qenë për parlamentin dhe kryeministrin. Presidenti nuk është prononcuar dhe për këtë nuk mund të bëj ndonjë koment ose hamendje të veçantë.
Meqënëse kanë mbetur vetëm 7 ditë besoj se ju duhet të keni një ide se do të ndryshoni përbërjen e ministrive aktuale apo jo dhe sa për qind do tu lini aleatëve, kryesisht LSI-së?
Lidhur me koalicionin, për sa i përket numrit të ministrive nuk do të ndryshojë. Nuk kam arsye të cilat rrjedhin nga qeverisja për ta ndryshuar atë. Nuk e konsideroj oportune që për shkak të koalicionit dhe koalicioneve unë të ndryshoj modelin e këtij Këshilli Ministrash si përbërje kabinetesh. Ministritë do të jenë po këto. Sa për ministrat, as unë që po flas këtu para jush, nuk i di. Di që mbledhjen e fundit me këtë qeveri do ta zhvilloj pasnesër dhe pastaj do të mblidhet kabineti i ri.
A do të konturohet koalicioni përpara datës 7 shtator, pra përpara se ju të shkoni në parlament?
Sigurisht që po, sepse duhet të propozohet kryeministri. Emërohet kryeministri dhe pastaj kryeministri propozon ministrat dhe qeveria brenda 10 ditëve nga data e dekretimit të kryeministrit duhet të miratohet në parlament. Ka një ngushticë kohore , e cila imponon që para datës 7 shtator, të bëhen të ditur emrat e 14 ministrave, zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit që dihet. Pasnesër (nesër) data është 2 shtator. Pasnesër janë njoftuar negociatat me LSI-në. Unë nesër do të jem në Poloni ku do të marr pjesë në një takim që zhvillohet në kujtim të fillimit të luftës së dytë botërore, të sulmit mbi Poloninë, por kthehem brenda ditës, ose të nesërmen në mëngjes, kështu që do të jem disponibël për ju.
Brenda partisë çame, PDI më konkretisht, ka pasur një përplasje mes kryetarit Muhedini dhe deputetit të vetëm të kësaj partie Dashamir Tahiri. Konkretisht ju do të negocioni me kryetarin e kësaj partie apo me deputetin, në se ata nuk arrijnë të bien dakord me njëri tjetrin?
Unë nuk ndërhyj në asnjë problem të asnjë partie politike. Të jeni të sigurt për këtë. Është një parim i hekurt i imi. Unë nuk ndërhyj. Jam jashtë çdo lloj ndërhyrje të cilësdo force politike. Jam shumë neutral. Nuk ndërhyj në çështje të brendshme të forcave politike. Është në detyrimin e tyre ti zgjidhin vetë problemet dhe jo me ndërhyrjen time. Nuk i bëhem krah njeriu në asnjë lloj rrethane , sepse kjo është kultura ime politike.
Në rast se Partia Socialiste do të bojkotojë parlamentin dhe do të keni krizë numrash për të miratuar ligje të ndryshme, si do të mund ta rregulloni këtë numër deputetësh?
Ne miratohemi në parlament si koalicion me 74 deputetë. Kjo shumicë është e mjaftueshme për mua që të përgatis fitoren e 2013-s. Kam bindjen se reformat për procesin e integrimit janë interesi më i mirë i opozitës dhe pozitës. Në këtë kontekst mbetemi gjithnjë të hapur për bashkëpunimin me opozitën sikundër respektojmë plotësisht çdo vendim që Edi Rama do të marrë, qoftë edhe ato që merr në interesin më të ngushtë personal.