Olldashi i vërtetë/ “Humba, prandaj nuk e njoh as garën e as humbjen”
Pasi kishte premtuar në fillim të procesit se do të njihte rezultatin final të garës dhe pasi s’bëri asnjë kontestim publik gjatë muajit të takimeve me anëtarësinë demokrate, dje Sokol Olldashi shfaqi profilin e vërtetë, atë të një politikani që s’pranon dimensionimin, aty ku e kanë përcaktuar demokratët e vërtetë
Sokol Olldashi, kandidati për postin e kryetarit të PD, pat premtuar se në përfundim të garës do të njihte rezultatin, si shenjë e vlerave demokratike dhe europiane që mbart forca politike që ka rrëzuar komunizmin dhe e ka çuar Shqipërinë në elitën e vendeve të lira dhe demokratike. Dje pamë “fytyrën tjetër” të Olldashit. Së pari, shmangu selinë e Partisë Demokratike në komunikimin e tij me mediat, krejt ndryshe nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha, duke zgjedhur zyrën e tij në Ministrinë e Transporteve dhe Punëve Publike. Së dyti, nuk e uroi fituesin e garës. Së treti, akuzoi për një proces të deformuar dhe të shoqëruar nga mungesa e transparencës, çka automatikisht e bën atë që të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe as kryetarin e ri të PD. Pra, në një deklaratë të vetme për mediat, jashtë selisë së PD, Olldashi shkeli tre premtimet e tij, vuri në pikëpyetje garën më demokratike të zhvilluar ndonjëherë nga një forcë politike në Shqipëri si dhe akuzoi për ndërhyrje (?) në proces. Ministri në detyrë i Transporteve shkon në kah të kundërt me vlerat e promovuara gjatë garës, ndryshe nga gjuha e moderuar e Lulzim Bashës i cili jo vetëm vlerësoi rivalin e tij në garë, Sokol Olldashi, por njëkohësisht vlerësoi kontributin e tij, duke dëshmuar para mbarë shqiptarëve vlerat e patjetërsueshme dhe unike të Partisë Demokratike. “Në këtë garë ishim dy kandidatë që shpalosëm vlerat, vizionet dhe vullnetet tona respektive para mijëra anëtarëve, por në fillim, gjatë dhe në përfundim të kësaj gare, ne nuk harrojmë për asnjë çast, se jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familje të madhe, krenarë për identitetin dhe trashëgiminë tonë politike, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë”- u shpreh dje Lulzim Basha në daljen e tij të parë mediatike si kryetar i PD. Më konkretisht, Sokol Olldashi deklaroi se këto zgjedhje u zhvilluan përmes një procesi të deformuar, pasi shumë anëtarë nuk votuan se nuk kishin emrat në listat, të cilat sipas tij në asnjë moment nuk u vunë në dispozicion. “Përzgjedhja e kreut te ri te PD u bë përmes një procesi të deformuar. Nuk u qartësua transparenca e listave dhe nuk u vunë ne dispozicionin. Ditën e votimit mijëra demokratë nuk gjeten emrin në lista. Procesi që mu premtua se do ishte jashtë ndikimeve, nuk ishte i tillë. Frika u krye me fletët e votimit qe ishte e identifikueshme”, vlerësoi Olldashi. Por pavarësisht humbjes, Olldashi u shpreh i vendosur për të vijuar misionin opozitar. “PD është ndërtuar si shtëpi e madhe dhe mund të prishen dhe rregullat, por ne mbetemi anëtarë të PD. Mbetem i vendosur të përfaqësoj militantët e PD në misionin e tij opozitar”, deklaroi ai.