Kronika/Zgjidhet kryetar i ri i PD-së me 80% të votave të anëtarësisë
Lulzim Basha zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Numërimi i votave nisi rreth orës 03:00 minuta të ditës së djeshme në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ndërsa shpallja e rezultateve zyrtare u bë në mesditë. Procesi zgjati gjatë gjithë mesnatës për rreth 6-7 orë. Votat u numëruan nga 10 grupe pune, ku secili grup ishte i përbërë nga 4 anëtarë, dy të zgjedhur nga Kryesia e Partisë Demokratike ndërsa dy të tjerët të zgjedhur respektivisht nga dy garuesit, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Pas numërimit të të gjitha kutive të votimit, të ardhura nga çdo cep i vendit, rezultoi se Lulzim Basha ka fituar 80.38 përqind të votave të anëtarësisë së PD-së ndërsa vetëm 19.61% të votave kanë shkuar në favor të kandidatit tjetër Sokol Olldashi. Për kryetarin e ri të PD, votuan 41 532 anëtarë të Partisë Demokratike, nga 120 mijë të anëtarë demokratë të regjistruar. Kështu, Lulzim Basha ka marrë 33 220 vota, ndërsa rivali i tij, Sokol Olldashi është votuar nga 8 060 anëtarë demokratë. Gara në PD sipas parimit “një anëtar – një votë”, është vlerësuar si më e mira e zhvilluar ndonjëherë nga një forcë politike në Shqipëri, ku anëtarësia e gjerë demokrate shprehu me votë preferencën për një nga dy kandidatët zyrtarë në garë, për atë që, anëtarësia e PD vlerëson se ndjehet më e sigurt dhe më pranë sukseseve të ardhshme. Zyrtarisht PD ka një kryetar të ri. Me Lulzim Bashën demokratët presin fillimin e ri të fuqishëm dhe rikthimin e shpejtë në pushtet.
Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve për kryetarin e ri të PD
Numri i Anëtarëve që kanë votuar: 41 532 anëtarë
Fletë Votimi të papërdorura: 78 468
Fletë Votimi të Dëmtuara: 0
Fletë Votimi të Gjetura në Kuti: 41 532
Vota të Pavlefshme: 252
Vota të Vlefshme: 41 280
Shpërndarja e votave të vlefshme:
Lulzim Xhelal BASHA: 33 220 vota
Sokol Vangjel Olldashi 8 060 vota