E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olli: “Elementet dhe masat që po marrim për të garantuar zgjedhjet e 28 qershorit”

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve komenton përgatitjet parazgjedhore. Olli rendit një sërë masash, të cilat priten të garantojnë standardet

Luis Tanushi

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, tregon ecurinë e përgatitjeve që ky komision po bën për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve. Ai shprehet se KQZ-ja ka marrë një sërë masash, të cilat do të garantojnë që zgjedhjet e 28 qershorit të zhvillohen të lira dhe të ndershme. “Besoj se ne këtë vit kemi të gjitha mundësitë për të realizuar zgjedhje sipas standardeve. Janë një sërë elementesh që të krijojnë besimin që jemi në rrugë të mbarë për të pasur zgjedhje të mira”, - shprehet Olli në një intervistë për gazetën “Albania”.

Si po shkon ecuria e përgatitjes së zgjedhjeve?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kaluar një sërë vendimesh, që kanë për bazë parapërgatitjen dhe caktimin e rregullave për zhvillimin normal të zgjedhjeve sipas Kodit Zgjedhor. Janë marrë vendime shumë të rëndësishme në mënyrë të veçantë përsa i takon rolit të policisë, të ushtrisë, mënyrës se si ndërtohen KZAZ-të, parametrat dhe aspekte që kanë të bëjnë me trajnimin e anëtarëve të KZAZ-ve. Ka filluar trajnimi i komisionerëve, njohja me detaje nga ana e tyre e ligjit. Në të njëjtën kohë janë marrë vendime në lidhje me fletët e votimit dhe mënyrën e funksionimit të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Punë efikase është bërë edhe përsa i përket buxhetit. Tashmë jemi shumë afër fazës së dytë të trajnimeve të KZAZ-ve. Më pas menjëherë do të bëhet mbledhja e tyre dhe e infrastrukturës që varet nga ato.

Në çfarë niveli janë marrëdhëniet e KQZ-së me Ministrinë e Brendshme për mbarëvajtjen e procesit?
Bashkëpunimi është në nivele të larta dhe të kënaqshme, duke nisur që me publikimin e listave paraprake të personave që kanë të drejtë vote. Ne jemi njoftuar çdo muaj nga Ministria e Brendshme për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime. Kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm me shkrim. Ishte përcaktuar për të pasur një takim të drejtpërdrejtë të funksionarëve të KQZ-së, por nuk është realizuar. Shkaku ka qenë mospërputhje axhende mes anëtarëve të komisionit dhe MB-së, por sigurisht kemi marrë njoftim me shkrim çdo muaj.

Cilat janë sfidat e KQZ-së në këto zgjedhje?
Ju e shtroni pyetjen në një moment ku sapo ka përfunduar edhe shpallja e kompanisë fituese që do të bëjë monitorimin dixhital të votave, ose ndryshe, vendosjen e kamerave në qendrat e votimit. Deri tani demonstrimet kanë kaluar me sukses. Në këtë fazë nuk ka pasur asnjë problem. Kjo mbetet sfidë e karakterit teknik. Me sa janë interesuar anëtarët e Komisionit, kjo teknologji nuk është aplikuar më parë. Kjo ka një rëndësi të madhe edhe përsa i përket transparencës së procesit zgjedhor në vetvete. Në funksion të kësaj KQZ-ja transmeton drejtpërdrejt të gjitha mbledhjet e saj. Përsa i takon anës tjetër të medaljes, sfida e KQZ-së është të arrijë një proces të pakontestueshëm sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht për të kaluar frazën tranzicion që është përdorur deri tani dhe për t’i certifikuar si zgjedhje të lira dhe të ndershme. Siç e ka theksuar edhe kryetari i KQZ-së, Arben Ristani dhe nënkryetarja Subashi, kjo është një sfidë jo vetëm e KQZ-së, por edhe sfida e forcave politike. Ata janë jo vetëm aktorë, por edhe faktorë në zgjedhje. Në fund të fundit është një sfidë e të gjithë shqiptarëve, pasi është e logjikshme që tani që jemi anëtarë të NATOS të kalohen të gjitha momentet e këtij stadi. Treguesit deri në këtë moment janë pozitivë. Ne jemi optimistë që gjithçka do të ecë normalisht. Shpresojmë që edhe elementi tjetër, që ka të bëjë me pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime, do të vazhdojë të ecë me të njëjtin ritëm për të realizuar edhe një nga detyrimet e vendosura nga qeveria. Nisur nga ky moment dhe me propozim të përfaqësuesit politik të PS-së, KQZ-ja mori një vendim për të krijuar një spot publicitar, i cili do të jetë ndërgjegjësues dhe sensibilizues. Spoti do t’u bëjë thirrje qytetarëve për të mos neglizhuar pajisjen me letërnjoftime. Meqenëse Kodi e përcakton qartë se mjetet e identifikimit janë letërnjoftimet dhe pasaporta e vlefshme për udhëtime jashtë shtetit, atëherë ne do të përdorim edhe këtë strategji për të shkuar sa më pranë publikut dhe për t’u bërë apel atyre për të mos neglizhuar.

Në fillim të mandatit të tij, kryetari i Komisionit, Arben Ristani, kërkoi bashkëpunimin e forcave politike. E ka gjetur KQZ-ja këtë bashkëpunim?
Që nga koha kur KQZ-ja është konstituuar dhe deri në këto momente, bashkëpunimi me përfaqësuesit politikë të vendosur në KQZ është në nivel maksimal. Nga të gjitha forcat politike, si në diskutime, ashtu dhe në vendime të ndryshme, nuk ka pasur debate konfliktuale dhe personale. Diskutimet kanë qenë në funksion të ndërtimit të një strukture udhëzuese dhe vendimmarrëse sa më konform ligjit, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime apo keqinterpretime. Personalisht, si zëdhënës, është e dukshme që ka pasur një bashkëpunim maksimal me përjashtim të momentit të ngritjes në kohë të KZAZ-ve, problem që është kapërcyer tashmë dhe shpresojmë që në vazhdimësi do të kemi të njëjtën frymë bashkëpunimi.

A ka pasur probleme në konstituimin e KZAZ-ve?
Me përjashtim të ditës së parë në Tiranë, që pati probleme, ku subjektet politike, ndoshta edhe me të drejtë për shkak të kohës së pakët për të komunikuar me komisionerët, në ditën e dytë nuk ka pasur asnjë problem. Gjej rastin t’u sugjeroj forcave politike për të mos pasur zëvendësime të komisionerëve në ditët e fundit, pasi këta trajnohen dhe nuk është shumë komode zëvendësimi i tyre. Në rast të kundërt, procedurat duhet të fillojnë nga e para. Sa më të trajnuar të jenë komisionerët, sa më të saktë në interpretimin e Kodit dhe të udhëzimeve të KQZ-së, aq më i saktë do të jetë edhe procesi në vetvete, sepse gjithçka është çështje komunikimi.

Keni nënshkruar marrëveshje me organizata të huaja për ardhjen e vëzhguesve?
Në Shqipëri prej vitesh është vendosur OSBE-ja dhe përfaqësues të ODIRH-it, të cilët janë organizma që japin edhe vlerësimin përfundimtar të procesit të zhvillimit të zgjedhjeve në një vend apo në një tjetër. Besoj se ky bashkëpunim nga ana e KQZ-së ka qenë në parametra maksimalë. Kuadri i mirëkuptimit me të dy organizmat ka qenë në nivel shumë të mirë dhe ata kanë qenë pranë nesh për problemet që ne kemi pasur. Sa herë që ata kanë pasur ide për projekte të ndryshme ne kemi qenë të gatshëm për të bashkëpunuar. Edhe në këtë kontekst, përfaqësuesit e parë të ODIRH-it morën një informacion në raport me ecurinë në takimin që patën me anëtarët e KQZ-së. KQZ-ja nuk ka asnjë numër kufizues.
Mund të vijnë sa të duan, por thjesht duhet të plotësojnë procedurat e akreditimit, jo vetëm të huajt, por edhe vendas. Ata thjesht duhet të respektojnë afatet që duhen për plotësimin e tyre. Sa më shumë vëzhgues të jenë, aq më shumë kjo do të ndihmonte në marrjen e informacioneve në çdo qendër votimi në lidhje me ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit. KQZ-ja nuk ka asnjë lloj kufizimi në këtë pikë.

Mendoni se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë sipas standardeve që kërkohen?
Në radhë të parë është domosdoshmëri arritja e standardeve. Vitet e fundit ka pasur një përmirësim të ndjeshëm të ecurisë së procesit, edhe pse ka pasur kontestime në raport me njërën apo tjetrën çështje. Ka pasur një konsensus që në konceptimin dhe përgatitjen e Kodit Zgjedhor, pastaj në emërimin e anëtarëve të KQZ-së dhe në procesin në vazhdim. Puna është që KQZ-ja nga pikëpamja teknike është përpjekur t’i qëndrojë sa më korrekt ligjit. Jo pak herë kontestimet kanë ardhur si rezultat i qëndrimeve të ndryshme politike. Besoj se ne këtë vit kemi të gjitha mundësitë për të realizuar zgjedhje sipas standardeve. Janë një sërë elementesh që të krijojnë besimin që jemi në rrugë të mbarë për të pasur zgjedhje të mira. Për herë të parë ka një regjistër elektronik të shtetasve, pra ne për herë të parë dimë me saktësi se sa votues janë. Nga organe të specializuara të MB-së dhe të Gjendjes Civile mësohet se është bërë një punë e mirë për të hequr dublikimet. Kemi një regjistër votuesish të detajuar dhe qytetarë të pajisur me pasaporta dhe me letërnjoftime me elemente të larta. Pra kemi të gjitha elementet për të cilat ka pasur diskutime në zgjedhjet e kaluara.

Do të ketë një pajisje të veçantë për të kontrolluar letërnjoftimet elektronike?
Jo, nuk do të ketë, sepse Kodi Zgjedhor nuk e përcakton një gjë të tillë. Vetë letërnjoftimi është një element i sigurisë së lartë dhe ligjvënësit nuk e kanë përcaktuar këtë detyrim. Përderisa në letërnjoftime ke vënë gishtin për ta aktivizuar, kjo e bën atë një mjet identifikimi të sigurt.

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›