E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe LSI, kundër centralit bërthamor në Shkodër



Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë reaguar me shqetësim ndaj projektit të qeverisë për të ngritur një central bërthamor në qytetin e Shkodrës. Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, tha se ngritja e këtij centrali është e patolerueshme, teksa akuzoi kryeministrin Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për këtë problem që po u nxjerr banorëve shkodranë. “Dhurata e mirënjohjes e Sali Berishës dhe Jozefina Topallit për Shkodrën, që 18 vjet me radhë i mbështeti pa kursim, është një central bërthamor. Të ndërtosh një central bërthamor në këtë qytet kaq të bukur është e patolerueshme. Duke pasur parasysh eksperiencën e hidhur të qeverisë me Fabrikën e municioneve në Gërdec, ky projekt krijon veç pasiguri dhe rrezikshmëri”, - tha Kodheli. Reagim kundërshtues ka pasur edhe LSI-ja me anë të nënkryetarit Sokol Axhemi. “Jemi kundër projekteve që dëmtojnë zhvillimin e Shkodrës. U bëj apel intelektualëve dhe qytetarëve për të mbrojtur mjedisin në Shkodër. Shkodra është mbi partitë politike, ndaj dhe kërkojmë transparencë të plotë për këtë projekt”, - është shprehur nënkryetari i LSI-së dhe kandidati i saj për deputet në Shkodër, Sokol Axhemi.

Kompania amerikane “Greenberg” trajnon kandidatët e LSI-së

Kompania amerikane “Greenberg Quinlan Rosner”, e cila po asiston prej më shumë se një muaji fushatën zgjedhore të LSI-së, ka nisur zhvillimin e disa trajnimeve në selinë qendrore të LSI-së, si dhe në rrethe të ndryshme të vendit. Trajnimet zhvillohen kryesisht me kandidatët për deputetë dhe menaxherët e fushatës zgjedhore të LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Edhe drejtues të lartë të LSI-së kanë marrë pjesë në disa seanca trajnimi të kompanisë amerikane, që konsistojnë në përcjelljen sa më të qartë dhe efektive të mesazhit elektoral, si dhe në punën me median dhe me njerëzit. Në prezantimin e strategjisë së veçantë për 3 qarqet në fjalë ka qenë i pranishëm dhe një nga menaxherët e fushatës elektorale të presidentit të ri të SHBA-vë, Barak Obama, Jay Reiff. Në fjalën e tij, ai ka shprehur sigurinë se strategjia në fjalë do të garantojë fitoren e thellë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në këto zgjedhje. “Kjo strategji është e sigurt që do t’i garantojë LSI-së fitore të thellë në zgjedhje, duke pasur parasysh epërsinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, programin e saj ambicioz për të punësuar shqiptarët dhe për të rritur mirëqenien e shqiptarëve, kandidatët më përfaqësues, si dhe liderin e saj, Ilir Meta, i cili ka treguar se është një njeri që di të punojë, dhe jo të bëjë premtime boshe”, - është shprehur ai.

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›