Olli Rehn: Opozita të heqë dorë nga bojkoti
BRUKSEL - Komisioni i BE-së, për Zgjerim, Olli Rehn ka kërkuar që Shqipëria të gjejë konsensusin politik dhe i ka bërë apel opozitës të heqë dorë nga bojkoti, pasi kjo është shumë e rëndësishme tani që BE nis të diskutojë për statusin e Shqipërisë.
Ai ka dalë në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm Ilir Meta i cili gjendet në Bruksel. Rehn ndër të tjera ka folur për dhunën e ushtruar ndaj Mero Bazes, duke u shprehur se "inkurajova z.Meta që të shteti të mbrojë fjalën e lirë".
Fjala e Rehn
Shqipëria ka bërë përparim me zgjedhjet disa nga kriteret janë plotësuar por ka ende disa probleme të identifikuara. Ajo që mbetet për të bërë përparim është sistemi gjyqësor. Inkurajova z.Meta për të bërë përpjekje për të përmirësuar reformën në drejtësi dhe inkurajova mbrojtjen e medias dhe fjalës së lirë duke pasur parasysh sulmin e fundit ndaj Bazes.
Dua të them diçka kryesisht për atë çfarë KE kërkon: Reforma dhe Konsensus politik. Kam diskutuar me z. Meta edhe për bojkotin e opozitës, gjithashtu i bëj apel opozitës japë fund bojkotit sepse është jashtë standardeve. Debati duhet bërë në Kuvend. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që BE fillon të diskutojë për aplikimin e Shqipërisë në BE. Destabiliteti demokratik dhe bojkoti i parlamentit nuk bëjnë pjesë në parimet e BE-së.
Meta: Kërkesat e opozitës, mos cenojnë pavarësinë e gjyqësorit
Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka garantuar komisonerin Rehn se qeveria shqiptare do të thellojë procesin e reformave në vend.
"Qeveria shqiptare është e vendosur dhe e përkushtuar për të bërë me të mirën dhe është e angazhuar për të punuar afër me opozitën. Kemi shprehur vullnetin e fortë për këtë çështje. Presim që opozita të marrë përgjegjësitë e saj në mënyrë serioze
Qeveria dhe mazhoranca kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar, por këto shqetësime të opozitës të mos shkelin pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimet e marra nga gjykatat"- tha ai.
Më tej ai ka shtuar se qeveria është e vetëdijshme për fushat ku ky progres duhet të jetë më i prekshëm, pasi qeveria sipas tij është e përkushtuar për të arritur të gjithë kushtet për liberalizimin e vizave.
Sa për incidentin me gazetarin Mero Baze, Ilir Meta ka theksuar se "personat e përfshirë në incidentin e fundit me Mero Bazen janë në arrest. Institucionet në vend janë distancuar seriozisht jo vetëm nga ky incident, por nga çdo incident dhune që kërcënon standardet e lirisë së medieve në vend".